Luftime të ashpra në Siri

Në ditën e fundit të armëpushimit të ndërmjetësuar nga i dërguari i OKB-së dhe ligës arabe kryeqyteti sirian Damask është bombarduar duke shkaktuar të paktën 14 të vrarë duke përfshirë gra dhe fëmijë. Sipas aktivistëve avionët kanë bombarduar zona të ndryshme në kryeqytet.  Luftimet ndërmjet forcave të  presidentit sirian Bashar al Assad dhe kryengritësve  kanë vazhduar edhe në krahinën veriore Idlib."Armëpushimi praktikisht  kurrë nuk ka ndodhur. Damasku ka qenë nën sulmet ajrore brutale dhe qindra njerëz janë arrestuar," tha një aktivist.Të dyja palët në konfliktin 19-mujore kanë shkelur armëpushimin për të shënuar festën e Kurban  Bajramit.  Autoritetet siriane fajësojnë terroristët  për  prishjen e  armëpushimit  ndërsa opozita thotë se një armëpushim është i  pamundur në një kohë kur Assad  përdor tanke dhe avionë kundër zonave të banuara.Në një deklaratë nga ushtria siriane  theksohen shkeljet flagrante të rebelëve që sipas tyre duan  të shkatërrojnë Sirinë.Brahimi shpreson  t`i japë  fund konfliktit që ka vrarë të paktën 32.000  persona dhe që ka rritur shqetësimet se mund të destabilizojë  Lindjen e Mesme, ndërkohë që sot pritet të takojë ministrin e jashtëm rus Sergei Lavrov për të gjetur një zgjidhje për krizën.