Shënohet 67 vjetori i krijimit të OKB-së
"Duhet që t`i kujtojmë parimet bazë të organizatës e cila promovon tolerancë globale, dialog, paqe. Misioni i Kombeve të Bashkuara është që të ndërtojë një botë më të mire" tha sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-Mun me rastin e 24 tetorit, Ditës së Kombeve të Bashkuara."E gjithë bota duhet që të bashkohet në emër të së mirës së përbashkët dhe respektit të Deklaratës universale për të drejtat e njeriut" ka theksuar Ban Ki Mun.Kombet e Bashkuara në këtë 24 tetor shënon 67 vjetorin e ekzistimit, ndërsa nga viti 1948, 24 tetori është shpallur Dita e Kombeve të Bashkuara.Asambleja e përgjithshme e OKB-së në vitin 1971 propozoi që shtetet-anëtare, Ditën e OKB-së ta shënojnë edhe si festë zyrtare.Karta, me të cilën u themelua Organizata Botërore, është firmosur më 26 qershor të vitit 1945 në San Francisko, ndërsa hyri në fuqi më 24 tetor pasi e ratifikuan pesë anëtaret e përhershme Kina, Franca, ish bashkimi sovjetik , SHBA-të, Britania e Madhe dhe shumica e vendeve qe e nënshkruan.Si qëllime të OKB në Kartën përmenden ruajtja e paqes dhe sigurisë, zhvillimi i marrëdhënieve miqësore midis popujve, realizimi i bashkëpunimit ndërkombëtar në zgjidhjen e problemeve ndërkombëtare ekonomike, sociale, kulturore dhe humanitare.Po ashtu, njëri prej qëllimeve të Organizatës Botërore është edhe lufta për respektimin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, pa dallim të racës, gjinisë, gjuhës ose fesë.Dispozitat e Kartës së OKB-së janë obliguese për të gjitha anëtaret e saj.