Konferenca e përbashkët Rama- Meta dy ditë para zgjedhjeve të 21 qershorit 2015
Dy ditë para së dielës së 21 qershorit kryeministri Edi Rama dhe kryetari i LSI-së Ilir Meta dolën në një konferencë të përbashkët mesditën e 19 qershorit 2015.Dy drejtuesit e koalicionit qeveritar u shfaqën si rrallë herë para medias në një konferencë për shtyp, duke bërë një bilanc të arritjeve të fushatës, por edhe problematikës aktuale. Votuesit fiktivë zunë një pjesë të rëndësishme të ballafqimit me median. Edi Rama dhe Ilir Meta pranuan ekzistencën e këtyre votuesve dhe konfirmuan se mbi ta mund të veprojë prokuroria por jo komisionerët, në ndryshim nga kryetari i opozitës. Ata njoftuan edhe një ligj të ri për përjashtimin në qeverisjen qëndrore e vendore të personave të inkriminuar. Ora News ju sjell të transkriptuar fjalën e plotë të kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të LSI-se Ilir MetaFjala e Kryeministrit Rama në konferencën e sotme për shtypMirëdita!Faleminderit për praninë tuaj. Kjo është një konferencë për shtypin, e lidhur vetëm me procesin zgjedhor, me sfidën që shoqëria jonë ka në 21 qershor për të rritur cilësinë e zgjedhjeve, që është edhe sfida jonë si shumicë qeverisëse dhe natyrisht, edhe si qeveri që kemi përgjegjësinë për të krijuar kushtet optimale që 21 qershori të jetë një ditë feste për demokracinë. Dua t’ju them pse, në këndvështrimin tonë dhe timin personalisht, këto janë zgjedhjet padyshim më të qeta dhe nga pikëpamja e marrëdhënieve të pushtetit me procesin, më të pa ndikuarat artificialisht me mjetet e pushtetit.Së pari, në gjithë këtë fushatë nuk ka ndodhur në asnjë rast që të mbyllet një shkollë; Nuk ka ndodhur në asnjë rast që takimet e Kryetarit të Kuvendit apo të Kryeministrit të bëhen arsye për të marrë në rresht nxënës dhe mësues, që të mbushin sheshin dhe të duartrokasin me pahir.Së dyti, administrata e shtetit, në asnjë rast nuk është vendosur në rresht nga drejtoritë e Burimeve Njerëzore, siç ndodhte deri në fushatën e shkuar dhe nëpunësit e shtetit, në asnjë rast nuk janë gjendur nën presionin imponues për të qenë të pranishëm në kuadrate të përcaktuara mitingjesh, apo për të dorëzuar kartën e identitetit, siç ndodhte në të shkuarën, për shkak se dyshohet se janë kundërshtarë të pandreqshëm dhe kështu e linin kartën të premten tek Drejtoria e Burimeve Njerëzore, për ta marrë të hënën, që të mos shkonin në votim.Së treti, ushtria shqiptare nuk është përfshirë në asnjë veprimtari të natyrës që kemi parë në zgjedhjet e shkuara, sidomos ato të 2013-s, sa për kujtesë, ku Ministri i Mbrojtjes u bë drejtori i përgjithshëm i punëve komunale të shtabit elektoral të Partisë Demokratike dhe forcat xheniere u kthyen në forca që merrnin çakëll nëpër lumenj dhe i hidhnin nëpër fshatra, për të marrë vota.Së katërti, që besoj është me një rëndësi të veçantë, për herë të parë Buxheti i Shtetit nuk u bë pjesë e shpenzimeve elektorale dhe shpenzimet nga buxheti nuk u frynë dhe as nuk u deformuan për shkak të fushatës. Një shqetësim shumë i madh ky, i krijuar në të shkuarën në buxhet dhe në vitet fiskale që pasonin zgjedhjet, për shkak të gropave që hapeshin thjesht dhe vetëm për qëllime elektorale, gropat financiare. Rast tipik është fushata e 2013-s që hapi një gropë të madhe borxhesh dhe historish, me të cilat ende nuk i kemi mbyllur dot hesapet.Nënvizoj këtu një tjetër element, që sesi shteti në këtë fushatë ka qenë tërësisht i ndarë nga qëllimet tona si parti të koalicionit dhe nga ambicia jonë për të fituar zgjedhjet. Ambicie krejtësisht e natyrshme. Nga janari deri në gusht të vitit 2013-të, Kompania e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka akumuluar 220 milionë dollarë borxh, borxh elektoral, duke jo vetëm lejuar shtimin e vjedhjeve dhe lidhjeve të paligjshme, por edhe duke marrë pjesë edhe vetë, me inxhinierë dhe me elektricistë, për të dhënë energji falas me qëllim marrjen e votave. Në këtë fushatë, kompania jonë e shpërndarjes ka vazhduar punën dhe ju jeni të informuar që ka vazhduar prerjen e lidhjeve të paligjshme, ka vazhduar normalisht aktiviteti i kompanisë si një kompani që nuk është pjesë e fushatës, nuk është as aset i politikës së partive në pushtet, por është kompania publike e të gjithë shqiptarëve, socialistë, demokratë, pa parti dhe me radhë.Së fundi, në këtë aspekt dua të nënvizoj një element, sepse më ka bërë përshtypje dhe dua ta hedh poshtë, shumë thjesht. Në konstatimet edhe tuajat, por edhe të vëzhguesve quhet rëndom që fëmijët përdoren për fushatë. Më vjen shumë keq, ky është një konstatim që nuk qëndron, për arsyen e thjeshtë, sepse unë nuk di ndonjë metodë, sesi mund të rrethohen vendet ku zhvillohen takimet elektorale dhe të pengohen fëmijët që të jenë pjesë në gjithë atë turmë njerëzish, që vijnë edhe me fëmijë, kur ne bëjmë takime elektorale. Apo që bëhet fjalë për sheshe qytetesh të vogla, ku prania e njerëzve që vijnë nga Tirana, qofshin të njërës palë, qofshin të palës tjetër, është një lloj eventi dhe është një lloj kurioziteti. Nuk ka përdorim të fëmijëve në fushatë, ka thjesht një përzierje të natyrshme të fëmijëve me eventin, që është tërësisht e pashmangshme. Nuk janë partitë tona që ju veshin fëmijëve bluza fushate, po janë prindërit, janë familjet, në një lloj procesi gjysmë feste, gjysmë sportiv, siç është fushata. A është kjo një gjë normale? Mbase jo, por nuk ka lidhje me përdorimin politik të fëmijëve. Besoj që në këtë rast, e njëjta gjë vlen edhe për palën tjetër. Nuk do ta thosha dot, duke e ditur si funksionon, që Partia Demokratike përdor fëmijët në fushatë, nëse ka fëmijë që veshin bluza të Partisë Demokratike, mbajnë flamurin, dalin atje, përzihen me turmën. Është diçka që nuk shmanget dot.Përsa i përket pjesës tjetër të pretendimeve, me keqardhje kemi konstatuar se në tërësinë e pretendimeve të Partisë Demokratike për mosmbarëvajtje të fushatës, pjesa më e madhe janë tërësisht artificiale dhe na ngjan si një përpjekje për të nxitur një lloj tensioni që nuk ka fare hapësirë dhe që nuk gjen vend, pasi, faktikisht, të gjithë jemi dëshmitarë që kjo është fushata më e qetë që kemi zhvilluar ndonjëherë.Pretendimi, që në vlerësimin tim ka qenë i drejtë dhe unë e kam konsideruar të gabuar dhe kemi marrë masa menjëherë, ka qenë përfshirja në dy apo tre raste, të kandidatëve për kryetar bashkie në dhënien e lejeve të legalizimit. Ka qenë një pretendim i drejtë, ne e kemi ndaluar menjëherë. Nuk ka qenë diçka e qëllimshme, si pjesë e ndonjë plani, por thjesht një inerci që ka çuar në një gabim nga ana jonë.Po ashtu, për pretendime që kanë qenë të lidhura me akte realisht të patolerueshme, siç ka qenë një incident në Ersekë, ku një person ka hedhur karrigen në drejtim të turmës së kryetarit të Partisë Demokratike, janë raste që janë ndjekur me rigorozitetin maksimal nga Policia e Shtetit dhe janë ndëshkuar, ashtu siç e parashikon ligji.Ndërsa historitë me fotografi, bëj një fotografi me një kamionçinë që ka miell dhe ka një flamur të Partisë Socialiste, bëj një fotografi me një makinë policie që ka flamur të Partisë Socialiste, bëj fotografi me një grup të rinjsh të Lëvizjes Rinore për Integrim në një oborr shkolle ku nuk duket gjëkundi, as Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, as Kryetari i Partisë Socialiste, as ndonjë miting, këto janë qesharake. Megjithatë, unë besoj që janë dhe tregues të rritjes së standardit. Se, nëse erdhi dita që ne të diskutojmë një fotografi të një grupi të rinjsh, veshur me bluzat e LRI-së në një oborr shkolle, domethënë kemi shkuar shumë përpara, krahasuar me dy vjet më parë, kur në oborrin e shkollës ishte Kryeministri që ju çirrej nxënësve, duke ju kërkuar ndihmë që t’i bindnin prindërit e tyre që duhet të shkonin përpara, bashkë me të. Jemi në dy botë të ndryshme.Përsa i përket blerjes së votave, kemi vetëm një konstatim konkret, me dëshmitarë konkretë, të cilët janë pjesë e një hetimi konkret. Bëhet fjalë për përpjekjen për të blerë vota nga ana e kryetarit të Bashkisë së Vorës. Nuk kemi asnjë rast tjetër. Historitë me zëra, me video ku nuk duket se kush i thotë çfarë dikujt, duken si të bëra në kinostudion e SHQUP-it. Më vjen shumë keq ta them këtë, po duken tamam sikur janë nga kinostudioja e SHQUP-it. Mund të kenë bazë, mund të mos kenë bazë, por është e kotë që t’i hyjmë këtyre bisedave. Një rast konkret është ai që ju thashë. Raste të tjera, ne nuk dimë. Për çdo rast, ne jemi absolutisht të gatshëm të veprojmë, policia është e gatshme të veprojë, siç ka vepruar në atë rast dhe për çdo rast tjetër.Edhe diçka për një gjë tjetër, për të cilën kam pasur unë personalisht, një sërë ankesash. Më e fundmja, para dy netësh, nga organizata të Partisë Socialiste, të angazhuara në fushatë, që policia ju ka marrë banderola dhe flamuj që donin t’i vinin në oborrin e Spitalit Ushtarak në Laprakë. Policia ka vepruar në mënyrë rigoroze, në të gjitha ato raste ku ka parë shkelje të ligjit dhe nuk ka parë ngjyrën e flamurit, por ka parë punën e vetë.Kjo është pamja.Unë kam dëshirën dhe detyrimin t’i bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të votojnë në 21 qershor, të votojnë të lirë, të votojnë alternativën që ata preferojnë, partinë që ata besojnë, kandidatin që ata dëshirojnë, por të votojnë. Të votojnë, sepse në 21 qershor nuk janë zgjedhje si zgjedhjet e tjera vendore që kemi pasur, as si ato që do të kemi. Janë zgjedhje që kanë të bëjnë me vulosjen nga ana e popullit sovran, të reformës së madhe, historike, të administrimit të territorit. Të një reforme që në përmbajtjen e vet ka një element të fuqishëm modernizimi dhe riorganizimi të shtetit shqiptar.Po ashtu, thirrja ime e përsëritur për gratë dhe vajzat, të marrin pjesë në votim, sepse si asnjëherë më parë dhe si asnjëherë më pas do të jenë protagoniste me votën e tyre, jo vetëm të zgjedhjes së kandidatit apo të kandidates së preferuar, jo vetëm të zgjedhjes së partisë së preferuar për këshillin bashkiak, por të vendosjes së votës së tyre në të gjithë malin e votave që gratë dhe vajzat do të japin, për t’i vënë vulën një vendimi historik të Aleancës për Shqipërinë Europiane, një zotimi programor të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, që ne e kthyem në ligj, për t’i dhënë grave dhe vajzave, 50% të pjesëmarrjes në kuvendet e reja vendore.Të gjitha këto janë arsyet pse ne deshëm që ta bënim këtë komunikim. Unë dua të nënvizoj se qeveria është gati edhe për fazën tjetër. Kemi bërë gati manualin e procedurave për konsolidimin e njësive, që do të jetë në tavolinën e çdo të zgjedhuri më 21 qershor. Ndërkohë bashkë me gjithë partnerët e koalicionit dhe të shumicës qeverisëse po punojnë për të thelluar reformën e decentralizimit.Zoti Kryeministër, që në fillim të fjalës tuaj ju thatë se këto zgjedhje janë një sfidë për shoqërinë shqiptare, përsa i përket rritjes së cilësisë së këtyre zgjedhjeve. A besoni se këto zgjedhje do të jenë disa shkallë më sipër sa i përket cilësisë krahasuar me ato të 2013-s?Kjo konferencë shtypi është një konferencë jo për fushatën tonë, por për zgjedhjet e 21 qershorit si proces dhe si integritet i domosdoshëm i demokracisë në këtë fazë në Shqipëri. Unë jam i bindur se janë kushtet që zgjedhjet të shënohen si një përparim i rëndësishëm cilësor, pavarësisht defekteve që nuk mungojnë kurrë as në vende shumë më të zhvilluara se Shqipëria. Nga ana tjetër, që të garantohet kjo, ne kemi bindjen se duhet pjesëmarrje, pjesëmarrje, pjesëmarrje.Dua po ashtu të nënvizoj se ne kemi pasur një komunikim me komisionerët tanë për të nënvizuar rëndësinë themelore të integritetit të votës për çdo subjekt, duke pasur parasysh këtu, jo vetëm subjektet tona politike, por edhe subjektet politike apo individët që janë pjesë e fushatës dhe e fletës së votimit për këshillat e bashkive. Ne duam që në numërim, rezultati të jetë ai që kanë kërkuar dhe imponuar zgjedhësit dhe integriteti i procesit, për ne ka rëndësi themelore. Absolutisht, për Shqipërinë dhe për afrimin tonë të mëtejshëm me Bashkimin Europian nuk është e rëndësishme se kush fiton dhe sa fiton në numër bashkish apo këshilltarësh, por është e rëndësishme të fitojmë një standard të ri zgjedhjesh, për të cilin ne jemi të angazhuar që nga sekonda e parë.Nuk është një gjë absolutisht e madhe, por besoj edhe një shembull i vogël që, duke qenë se tradicionalisht e premtja ka qenë dita e mbylljes së fushatës së partive të mëdha në Tiranë dhe duke qenë se nga një Tiranë me dy sheshes kemi një Tiranë me një shesh, si rezultat i qeverisjes së saj të këtyre katër viteve, ne preferuam që t’i hapim rrugë më të vegjëlve dhe ta bëjnë ata, sot, mitingun përmbyllës në Tiranë. Ne do ta bëjmë në Durrës, me dëshirën e mirë që të mos krijohet asnjë kontekst për konfliktin më të vogël, siç ka ndodhur në të shkuarën në këto raste. Thjesht simbolikisht.Ne jemi po ashtu të vendosur që t’i gjendemi pranë të gjithë kandidatëve dhe të gjitha forcave politike, qofshin dhe ato të opozitës, për çdo ankesë, për çdo nevojë, siç i është gjendur pranë, me besnikërinë e ligjit, Policia e Shtetit, gjatë gjithë këtij procesi. Sigurisht na vjen keq kur shikojmë që kriminelë të kërkuar kapen si pasojë e përpjekjes së tyre për t’u përfshirë në proces, me kërkesën e personave që janë në fushatë. Kjo nuk është një gjë e mirë, përkundrazi.Megjithatë, këtu nuk jemi për të bërë polemika, do të kemi ditë për t’i shtjelluar në të ardhmen, edhe elementë të kësaj natyre. Ajo që ka rëndësi është që Policia e Shtetit dhe shteti janë jo pjesë e fushatës, por në krye të detyrës për të garantuar një proces të lirë, të ndershëm, të barabartë, transparent dhe europian.Një ditë më parë, PS, përmes një deklarate për shtyp rrëzoi çdo mundësi që të dielën forca juaj politike t’i propozojë shqiptarëve persona me rekorde kriminale dhe bën me dije që PS po punon për të depozituar shumë shpejt, pranë parlamentit të Shqipërisë, një nismë ligjore për të evituar që në poste zyrtare të jenë persona me rekorde kriminale. Çfarë do të përfshijë kjo nismë, në mënyrë që shqiptarët që ende nuk janë bindur deri të dielën, ta kenë edhe këtë mundësi?Së dyti, ju vutë theksin tek zgjedhjet me standarde, por sot opozita ka një shqetësim që janë votuesit fiktivë, veçanërisht në Durrës. Ka garanci opozita dhe qytetarët shqiptarë që të paktën nga komisionerët tuaj nuk do të lejohen votues fiktivë në ditën e zgjedhjeve?Thirrja për komisionerët që të lejojnë disa votues dhe të mos lejojnë të tjerët është një thirrje që nuk ka asnjë përputhje me Kushtetutën, me ligjin dhe me liritë e të drejtat e qytetarëve. Nuk janë komisionarët, ata të cilët përcaktojnë se kush voton dhe kush nuk voton, por janë listat e zgjedhësve. Unë jam i bindur që nuk ka komisioner që të shkeli ligjin dhe të përfundojë përpara Gjykatës për veprën penale të ndalimit të qytetarit për të votuar.Problemi i listave është një problem real, por është një problem të cilin tanimë po e trajton prokuroria dhe është një problem që gjen zgjidhje vetëm në rrugën e hetimit dhe të gjykimit nga gjykata, të personave përgjegjës, nuk është një problem i Kushtetutës apo i Kodit Zgjedhor. Nuk ka asnjë mundësi për të evituar përmes Kodit Zgjedhor një gjë të tillë, sepse kjo është një shkelje e ligjit dhe si çdo ligj që përcakton kufijtë e një veprimtarie nuk mundet dot të ndalojë një veprimtari të paligjshme që del jashtë këtyre kufijve. Për paligjshmërinë e pretenduar që lidhet me Durrësin, me Kavajën, me Vorën, ne nuk kemi ndërmend t’i bëjmë thirrje komisionerëve tanë që në Vorë të ndalohen të votojnë ata, të cilët pretendohen se janë regjistruar në mënyrë të paligjshme, sepse do të ishte që një paligjshmëri ta luftonim me një paligjshmëri më të madhe, me një kërcënim për integritetin e zgjedhjeve. Por ne kemi ndërmend që t’i shkojmë deri në fund zbardhjes së plotë të çështjes në atë bashki, përmes hetimit të prokurorisë dhe gjykatës.Kështu që këtu nuk kemi çfarë të diskutojmë. Nuk është politika, nuk janë kryetarët e partive, nuk janë komisionerët që mund të përcaktojnë kufijtë e të drejtave të njeriut, apo që mund të japin dënime. Meqë dolëm tek dënimet, po ju them që nuk ka asnjë kandidat të Aleancës për Shqipërinë Europiane dhe specifikisht, të propozuar nga Partia Socialiste dhe të mbështetur nga Lëvizja Socialiste për Integrim, që të jetë i dënuar nga një gjykatë vendase apo e huaj, qoftë edhe me një vendim të formës jo të prerë. Këtu mbaron çdo diskutim, në këndvështrimin tim. Ne nuk jemi as inkuizicioni dhe as byroja politike që japim verdikte dhe bëjmë gjueti shtrigash, bazuar në të ashtuquajturat dyshime të arsyeshme, apo në çështje që janë çështje që mund t’i trajtojë vetëm prokuroria dhe gjykata.Ligji që ne si Aleancë për Shqipërinë Europiane do të bëjmë dhe që do të jetë pjesë e paketës së reformës në drejtësi, do të jetë një ligj që do të vendosë një vijë të kuqe për të gjithë personat e dënuar për vepra penale, për të penguar për një afat kohe të arsyeshëm, shumë më të gjatë sesa dëshmia e penalitetit, zgjedhjen e tyre në poste publike. Ne shkojmë edhe më tutje, edhe në pozicione në administratën publike. Ky është qëndrimi ynë dhe këtu mbaron për ne, çështja e famshme e dekriminalizimit. Nuk ka kriminel të shpallur me mikrofonin e politikës. Kriminelët i shpall vetëm Gjykata. Nuk ka rekorde kriminale të regjistruara me vullnet politik. Rekordet kriminale, nëse janë kriminale, apo nuk janë kriminale i përcakton hetimi dhe gjykimi. Kjo është për mua vija e kuqe dhe e konsideroj një dëm të madh që ne i bëjmë vetes, një dëm të madh që i bëjmë, jo vetëm politikës, por dhe vendit, këtë çorbë të madhe ku nuk ka asnjë vijë ndarëse dhe nuk ka asnjë parim dhe asnjë princip. Nëse, përshembull, ne do të kishim një yll bote, të dënuar në gjykatën e Shkallës së Parë si hajdut i fondeve të bashkisë, ne nuk do ta vendosnim si kandidat. Yll bote, jo yll Europe, siç është Xhelal Mziu.Në raportet paraprake të vëzhguesve vendorë është ngritur si shqetësim largimi apo tërheqja e komisionerëve nga partitë politike në momentet e fundit. A do t’i jepet fund praktikës së bllokimit si të procesit të numërimit, por edhe të çertifikimit të rezultatit në KZAZ dhe në qendrat e numërimit të votave, nga tërheqja e komisionerëve, por edhe nga largimi i tyre. Kemi patur raste në Shqipëri kur komisionerët kanë marrë vulën me vete dhe janë larguar nga procesi i numërimit të votave.Është e vërtetë kjo që thoni ju, por po ashtu është e vërtetë që bashkë me vulën kanë përfunduar në burg. Kështu që nuk besoj se do të ketë komisionerë, të cilët janë gati të bëjnë burg politik për partinë dhe burg ordiner për ligjin. Nuk besoj se do të ketë komisioner që janë gati që të transformohen në kamikazë të thirrjeve dhe të urdhrave që jepen lehtë nga ata të cilët dalin në TV, por pastaj paguhen rëndë nga ata, të cilët i zbatojnë në realitet.Nga ana tjetër, po jua përsëris edhe njëherë dhe besoj se me këtë mesazh ia vlen ta mbyllim ketë konferencë, ne jemi të interesuar për procesin dhe integritetin e zgjedhjeve më shumë se sa për rezultatin e tyre. E them këtë me bindjen më të plotë dhe me sinqeritetin më të madh si Kryeministër dhe pa dyshim, edhe Kryetari i Kuvendit, në cilësinë e tij si Kryetar i Kuvendit ka të njëjtën bindje, pasi ne duam që Shqipëria të fitojë dhe jo thjesht të fitojmë ne zgjedhjet, si kryetarë partish.Janë të gjitha kushtet që ne të bëjmë zgjedhje shumë të mira. Prandaj të gjithë shqiptarët të marrin pjesë dhe të japin kontributin me pjesëmarrjen e tyre, që këto të jenë zgjedhje shumë të mira.Ndërkohë që, për të gjitha aspektet e natyrës administrative, Kodi Zgjedhor dhe Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë kanë parashikimet përkatëse. Kështu që jam i bindur që nuk ka sot shqiptar që të japi jetën për ndonjë parti dhe aq më pak, për parti të cilat janë në drejtim të paditur.Ju falënderoj shumë! Respekt për punën tuaj dhe për të gjithë përpjekjen tuaj për të qenë pranë njerëzve dhe për të informuar për procesin, gjë të cilën jam i bindur do ta bëni edhe në orët pa gjumë që ju presin. Deklarata e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Kryeministrin, z. Edi Rama Edhe unë dua të shpreh kënaqësinë që jemi sot sëbashku me Kryeministrin dhe Kryetarin e Partisë Socialiste përballë jush në këto pak orë që na ndajnë nga 21 qershori. Dua dhe unë të përfitoj nga rasti për të falënderuar të gjithë qytetarët tanë që kanë qenë pjesë e një fushate model, jashtëzakonisht të qetë dhe të kulturuar siç i takon çdo vendi evropian. Njëkohësisht theksoj rëndësinë e madhe të mbarëvajtjes së mëtejshme të fushatës, por sidomos të procesit të votimit dhe të numërimit, në mënyrë që të fitojnë të gjithë qytetarët shqiptarë duke arritur standardet më të larta evropiane në 21 qershor.Besoj se një standard shumë i rëndësishëm është pjesëmarrja. Ndaj unë do të dëshiroja ashtu sikurse u shpreh dhe Kryeministri Rama t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të mos mungojnë në këtë ditë votimit sepse kjo nuk është një ditë e zakonshme, është një ditë historike. Ndan Shqipërinë e një periudhe të vjetër të keqorganizimit administrativ dhe territorial me Shqipërinë e një epoke të re , të një reforme madhore që do të hyjë realisht në fuqi me votën e mbarë qytetarëve shqiptarë në 21 qershor dhe që do të krijojë mundësi të shkëlqyera për standarde të reja në shërbimin ndaj qytetarëve tanë dhe për zhvillimin e 61 komuniteteve të bashkive të reja të vendit tonë.Pjesëmarrja mendoj se është e domosdoshme në mënyrë që askujt të mos i mbetet merak në të ardhmen që nuk u bë pjesë e këtij momenti historik për Shqipërinë dhe tek ata që vijnë.Së dyti, e dimë që ai nuk voton, nuk ka dhe shumë të drejtë që të ankohet nesër. Prandaj të gjithë duhet të marrim pjesë në mënyrë që të kenë të drejtën për të kërkuar llogari ndaj drejtuesve të ardhshëm të bashkive dhe të këshillave bashkiake që bëhen realisht parlamente vendore.Sigurisht që është mjaft e rëndësishme që qytetarët shqiptarë në 21 qershor të votojnë të lirë, të pandikuar nga çdo formë presioni apo shantazhi. Është e domosdoshme që të gjithë komisionarët, të gjithë vëzhguesit, të garantojnë proces normal, të evitojnë çdo lloj ndikimi përpara dhe gjatë momentit të votimit sepse kjo është shumë e rëndësishme dhe është e domosdoshme. Njëkohësisht ftojmë çdo qytetar shqiptar të denoncojë çdo formë presioni, përpjekje për deformim apo për blerje të votës dhe e ftojmë policinë dhe prokurorinë të veprojë ndaj çdo rasti të tillë kudo që kjo gjë do të shfaqet.Njëkohësisht, i ftojmë të gjithë qytetarët të votojnë të pandikuar nga askush, përfshirë dhe familjen e tyre. Sepse secili duhet të shprehë bindjen e tij, besimin tij dhe të ketë të drejtën e votës së tij. Është shumë e rëndësishme mendoj që organet ligjzbatuese, siç janë Policia e Shtetit të vazhdojë të garantojë me paanësi rendin dhe sigurinë, të godasë pamëshirë dhe pa hezitim çdo element kriminal që përpiqet të ndikojë përpara apo gjatë procesit të votimit, kushdo qoftë, dhe ndaj kujtdo që ai përpiqet të veprojë.Për ne , e theksuam edhe më parë, e theksoi edhe z. Rama, kanë rëndësi standardet e zgjedhjeve, jo rezultati i tyre. Njëkohësisht do të ftoja të gjithë komisionerët dhe sidomos të gjithë numëruesit dhe të gjithë vëzhguesit që të vazhdojnë me qetësi dhe me durim procesin deri në fund dhe të mbrojnë votën e çdo qytetari shqiptar. Asnjë votë nuk duhet të deformohet, as përpara se të fillojë votimi, as gjatë procesit të votimit dhe padyshim as gjatë procesit të numërimit. Kjo është shumë e rëndësishme sepse ne e dimë se sa e rëndësishme është edhe një votë në demokraci, aq më tepër në zgjedhjet vendore. Dhe përveç saj, do të ftoja dhe gjithë mediat që siç kanë vepruar deri më tani, të kontribuojnë për të garantuar transparencën e plotë të procesit të këtyre dy ditëve përpara se të fillojë procesi i votimit, gjatë procesit të votimit, gjatë procesit të numërimit. Ju jeni një garanci e madhe e transparencës së gjithë këtij procesi deri më tani, por sidomos e transparencës së këtij procesi gjatë dy ditëve të ardhshme. Dhe njëkohësisht mirëpresim gjithë vëzhguesit ndërkombëtare dhe vëzhguesit vendorë që të jenë kudo ku kanë mundësi në mënyrë të veçantë atje ku kërkon opozita. Dhe në ato zona që i konsiderojmë si prioritare për t’u vëzhguar, ua kemi paraqitur dhe do t’ua paraqesim,por besoj që edhe ju vetë si media do të jepni kontribut vendimtar për gjithë transparencën e këtij procesi dhe në mbarëvajtjen e tij. Këto janë zgjedhje të rëndësishme për qytetarët shqiptarë, janë zgjedhje të rëndësishme për 61 komunitet, ku në 22 qershor absolutisht që ne jemi të bindur që këto zgjedhje do të jenë festë për demokracinë, pavarësisht nga rezultati. Shpresoj që të gjithë të jenë të qetë, të gjithë të jenë të duruar dhe të gjithë të kontribuojnë në mënyrë konstruktive për mbarëvajtjen e këtij procesi. Fushatën e kemi bërë të gjithë deri tani. Tani duhet t’i lëmë shqiptarët të votojnë në mënyrë më të qetë, të kenë kohë të mendojnë, të reflektojnë edhe njëherë deri në 21 qershor. Ju faleminderit. Z. Meta mund të bëni një parashikim sot se sa do të jetë numri i bashkive të fituara nga koalicioni i majtë?Nuk jemi këtu për të bërë orakullin e zgjedhjeve dhe të rezultatit të tyre. Jemi këtu për të shprehur vendosmërinë tonë për t’i shërbyer standardeve më të larta në këto zgjedhje dhe mund t’ju them se nuk do të mërzitesha fare sikur opozita t’i fitonte të 61 bashkitë. Rëndësi për ne ka standardi.Vutë theksin tek nevoja për të pasur zgjedhje me standarde dhe sot opozita shqiptare ka një shqetësim që janë votuesit fiktivë, veçanërisht në Durrës ku ju edhe do të përmbyllni sot fushatën. Ka garanci opozita dhe qytetarët shqiptarë se të paktën nga komisionerët tuaj nuk do të lejohen votues fiktivë ditën e dielë në zgjedhje?Ju e dini që unë gjithnjë shpreh shqetësimin për standardet e dyfishta që përdor opozita si përsa i takon çështjes së dekriminalizimit, ku sapo u sqarua edhe çështja e Yllit të Europës dhe të Botës, ashtu edhe përsa i takon çështjes së votuesve fiktivë, pasi siç e dini, gjendja në Bashkinë e Vorës është shumë e rëndë dhe kritike se ato të Durrësit dhe të Kavajës po të kemi parasysh numrin në raport me numrin e përgjithshëm të zgjedhësve të shtuar, rreth 600. Është shumë herë më i madh se sa në Durrës apo se sa në Kavajë dhe vetëm një noter ka firmosur 500 kontrata fiktive, çështje e cila i është kaluar Prokurorisë dhe do të ndiqet deri në fund. Prandaj, ne do t’i shkojmë deri në fund zbatimit të ligjit. Natyrisht komisionerët kanë për detyrë të zbatojnë vetëm ligjin. Besoj se këto janë zgjedhjet më të qeta që ka zhvilluar ndonjëherë vendi ynë. Përpjekjet për të inskenuar incidente dhe për t’i trajtuar ato politikisht janë të dështuara. Ne edhe këto dy ditë do u bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve, simpatizantëve, votuesve tanë, qytetarëve shqiptar, komisionerëve, numëruesve të ruajnë qetësinë, që të mos bien preh të asnjë lloj inskenimi dhe ngjarje të fabrikuar që kërkon të dëmtojë artificialisht klimën jashtëzakonisht të qetë, demokratike dhe evropiane zgjedhore. Ndërkohë, besoj se edhe opozita duhet të shprehet se edhe për të janë më të rëndësishme standardet se sa rezultati. Njëkohësisht çdo problem që shfaqet duhet ndjekur në rrugë ligjore, jo në rrugë propagandistike sepse e theksoj edhe një herë, opozita i bën një dëm të madh në radhë të parë vetes së saj dhe sidomos disa kandidatëve të saj të spikatur të cilët konkurrojnë për të fituar sepse në mënyrën se si po e bën fushatën duke vënë theksin te incidentet të cilat në të shumtën e rasteve nuk kanë ndodhur dhe në të paktën e rasteve keqinterpretohet, demotivon edhe votuesit e saj dhe lë në baltë edhe kandidatët e saj. Ne besojmë se për çdo gjë duhet t’i referohemi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, komisioneve zonale, t’i referohemi Policisë së Shtetit, t’i referohemi Prokurorisë, pra institucioneve që kanë këtë përgjegjësi të zbatojnë ligjin në mënyrë të paanshme në interes të këtyre zgjedhjeve të nivelit më të lartë evropian që jam i bindur që do t’i realizojmë të gjithë së bashku me kontributin e mediave.