Besimi në ekonomi pëson rënien më të madhe
Besimi në ecurinë ekonomike ka pësuar rënien më të madhe të regjistruar që prej fundit të 2013. Banka e Shqipërisë ka publikuar raportin ku theksohet se në tre mujorin e parë të këtij viti besimi në situatën e përgjithshme ekonomike ka rënë me 4.6 % . Rënie ka pësuar edhe besimi i konsumatorëve të cilët kanë ulur ndjeshëm shpenzimet.Situata e përgjithshme e ecurisë ekonomike në Shqipëri dhe gjendja e përgjithshme e biznesit u vlerësuan në rënie gjatë tremujorit të parë të 2015, pasi ishin vlerësuar në rritje për disa tremujorë.Banka e Shqipërisë ka publikuar raportin e ndjesisë ekonomike për tremujorin e parë të 2015. Sipas BSH besimi në ekonomi ka rënë me 4.6 % .Ky nivel i besimit vlerësohet se është 0.5 pikë nën mesataren afatgjatë.Rënia e treguesit të ndjesisë ekonomike në tremujorin e parë u përcaktua se ka ardhur nga rënia e besimit në të gjithë sektorët e ekonomisë dhe nga rënia e besimit të konsumatorëve. Në masën më të madhe (67%) e bizneseve raportojnë se do t'i përballojnë kufizimet financiare me kredi bankare dhe një pjesë (19%) me porosi me parapagim.Por më pozitive është situata e investimeve të reja gjatë gjashtëmujorit të kaluar u rrit dhe bizneset presin rritje të investimeve edhe për gjashtëmujorin e ardhshëm. Treguesi i besimit të konsumatorëve gjithashtu ra me 2.7 pikë përqindje në tremujorin e parë të vitit duke konfirmuar trendin rënës të nisur në tremujorin e kaluar.Kjo ka bërë që qytetarët të ulin shpenzimet por në uljen e besimit të konsumatorëve në ekonomi kanë kontribuar edhe pritjet e konsumatorëve për situatën ekonomike dhe financiare në vend.Konsumatorët e vlerësojnë situatën financiare dhe ekonomike në vend të përkeqësuar në tremujorin e parë të vitit. Pritjet e tyre për nivelin e papunësisë në gjashtë muajt e ardhshëm janë pesimiste. Gjithashtu, konsumatorët perceptojnë kosto të rritur jetese, ndërsa balanca e kursimeve ka pësuar një rënie të lehtë.