Hapja e dosjeve, Çekët: Të hapen gradualisht dhe pa incidente politike

Modeli çek i hapjes së dosjeve mund të ishte model i mirë edhe për Shqipërinë, por me ligjin e ri që po përgatitet nga ana e qeverisë është zgjedhur varianti gjerman. Megjithatë  drejtuesit çekë të komisionit që është marrë që nga vitet 1990 deri me sot me dosjet shpjegon sesi ky proçes në këtë republikë ish-komuniste është bërë zbardhja e krimeve të komunizmit.Drejtori i Institutit të Studimeve për regjimet totalitare në Çeki, i cili ka ardhur në Tiranë në kuadër të 25 vjetorit të rënies së sistemeve komuniste, pohon se vendi i tij tashmë që prej 2004 e ka kaluar traumën që mund të sillnin të vërtetat e hidhura të regjimit:Zdenek Hazdra, drejtori i Institutit të Studimeve për regjimet totalitare, Çeki: “Shqipëria dhe Çekia janë dy vende të ndryshme por kanë një të përbashkët, të dyja kanë vuajtur sistemet totalitare. Trashëgimia që kemi pasur nga këto regjime është e hidhur dhe është e rëndësishme të zbulojmë se çfarë ka ndodhur në ato vite. Proçesi i hapjes së dosjeve në Çeki, ka qenë një proçes gradual i cili ka nisur që në vitet 1990 kur janë hapur arkivat e policisë sekrete derisa arritëm në fazën përfundimtare në vitin 2004, kur u miratua dhe ligji për hapjen e dosjeve që u jep mundësi qytetarëve të kenë akses në dokumentacione”E për këtë arsye Hazdra sygjeron që proçesi i hapjes së dosjeve duhet të bëhet edhe në Shqipëri, por duhet bërë gradualisht dhe të mos shoqërohet me incidente mes palëve politike:Zdenek Hazdra: “Ky është një proçes që duhet realizuar gradualisht edhe në Shqipëri. Nuk mund të them se çfarë efekti do të ketë ky proçes në shoqërinë tuaj. Në Çeki u shoqërua me incidente mes palëve politike por mendoj se kjo është rruga e duhur. Kjo nuk është vetëm një çështje e politikës por e mbarë shoqërisë. Ky proçes duhet të shoqërohet me një pastrim të së kaluarës çka nënkupton se jo vetëm duhet të hapen dosjet e komunizmit, por edhe duhet të bëhet një studim i tyre, madje një program i tillë duhet të futet edhe në shkolla në mënyrë që edhe brezat e rinj të mësojnë më shumë për të kaluarën”Deklaratat e tij, Drejtori i Institutit të Studimeve për regjimet totalitare në Çeki i bëri gjatë një aktiviteti me temë “ Çfarë të bëjmë me të kaluarën" të organizuar nga Instituti Shqiptar i Marrëdhënieve Ndërkombëtare .