Shkodër, digjet banesa në katin e 6 të një pallati
Një banesë në katin e gjashtë të një pallati në hyrje të qytetit të Shkodres, zonën e njohur ndryshe si Bexhisteni është përfshirë nga flakët e zjarrit, në orët e drekës së të mërkurës.Nga sa mësohet zjarri në banesë, pronë e shtetasit Ardian Lleshi dyshohet se është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike e më pas si pasojë e përhapjes së flakëve ka shpërthyer edhe bombula e gazit.Fatmirësisht në momentet e shpërthimit të zjarrit në banesë ka qënë vetëm një person, i cili nuk është lënduar. Ai ka njoftuar menjëherë shërbimin zjarrfikës të Shkodrës të cilët nuk kanë vonuar të mbërrijnë në vendin e ngjarjes.Ndërhyrja e këtij reparti bëri të mundur fillimisht lokalizimin e flakëve që të mos përhapeshin në banesat e tjera, e më pas shuarjen e plotë të tyre. Nga verifikimet e para mësohet se dëmet e shkaktuara në banesë janë të konsiderueshme, ndërsa shkëndija elektrike vijon të jetë problem shqetësues në qytetin e Shkodrës.Vetëm për 3 muajt e parë të këtij viti sipas të dhënave të repartit zjarrfikës janë shënuar mbi 5 raste zjarri nga shkëndija elektrike dhe për dëmet e shkaktuara nuk përgjigjet askush.
