Bashkia Lezhë, nuk miratohet buxheti i vitit 2015, shkak mangësitë në dokumentacion
Ka përfunduar edhe një tjetër mbledhje e Këshillit Bashkiak të Lezhës, por kjo njësi vendore ende nuk ka miratuar buxhetin e vitit 2015. Mangësitë në dokumentacion nga ana e administrates së Bashkisë, ka bërë që të kalojë gati gjysma e vitit dhe Lezha mos të ketë të miratuar buxhetin.Kreu i Këshillit Agustin Marku apelon që dokumentacioni i nevojshëm të jetë gati për mbledhjen e radhes, si domosdoshmëri për të arritur një vendimmarrje në funksion të qytetarëve.Agustin MARKU Kryetar i Këshillit Bashkiak Lezhë : “ Janë të lutur të gjitha drejtoritë që funksiojnë pranë Bashkisë Lezhë, të sjellin informacionet e materialet që kërkojnë komisionet në mënyrë që të arrijmë një konkluzion sa më të qartë që të miratohet një buxhet sa më realist që t’i shërbejë qytetarëve të Lezhës për vitin 2015”. Ndërsa buxheti i Lezhës u shty për një mbledhje tjeter, Këshilltari Gjon Gjoka kërkon që në mbledhje të jetë i pranishem edhe vetë kreu i Bashkisë Tushaj, pasi sipas tij, qyteti ka probleme të shumta që nuk po marrin zgjidhje. Gjon GJOKA Këshilltar: “Kryetari Bashkisë të jetë prezent sepse do t’i drejtojmë disa pyetje që këta shokët nuk janë aq kompetentë. Sepse kemi shumë probleme të cilave nuk po i jepet përgjigje dhe që janë të pazgjidhura për qytetin tonë”. Buxheti i bashkisë Lezhë për vitin 2015 është caktuar 4.2 miliardë lekë të vjetra.