Unaza e Madhe e Tiranës, familjet që preken e s'kanë tituj pronësie i paguhet 2 vjet qira

Qeveria shqiptare do t’i paguajë dy vjet qira të gjitha familjeve të cilat preken nga zbatimi i projektit të Unazës së Madhe të Tiranës në segmentin “Komuna e Parisit – Rruga e Kavajës”.Lajmin e bëri të ditur në një konferencë për shtyp, Drejtoresha e e Entit Kombëtar të Banesave, Doris Andoni.Andoni shpjegon se pagesa e qirasë për dy vjet do të bëhet për ato familje të cilat nuk zotërojnë tituj pronësie. Kurse për familjet që kanë tituj pronësie iu nënshtruan ligjit të shpronësimit për interes publik.Doris Andoni: “Pas një vëzhgimi në terren, duke trokitur në dyert e banorëve të zonës, nëpërmjet të cilit u bë verifikimi i situatës dhe dokumentacionit që dispononte çdo familje, u identifikuan dy raste: 1) familje që disponojnë certifikatë pronësie të truallit dhe/ose vetëm të banesës; 2) familje të cilat nuk disponojnë dokument pronësie.Këto janë kryesisht rastet kur familjet kanë ndërtuar pa leje brenda vijës kufizuese të projektit dhe për rrjedhojë, nuk mund t’i legalizojnë ato.Grupi i parë i familjeve iu nënshtrua ligjit të shpronësimit për interes publik.Për të gjetur zgjidhje optimale për rastin e dytë të familjeve që nuk disponojnë tituj pronësie, Qeveria mori përsipër që, nëpërmjet parave të taksapaguesve të mbulojë për dy vite qiranë e plotë të banesës në tregun e lirë (zgjidhje kjo e aplikuar edhe në rastin e Vlorës)."Andoni informoi se, paratë për pagesën e qirasë për këto familje, janë depozituar në llogari të Entit Kombëtar të Banesave. Sipas saj, “nga kjo skemë përfitojnë 76 familje, sipas listës që i bashkëlidhet vendimit të Këshillit të Ministrave nr.230, datë 13.03.2015. Shuma e qirasë varet nga numri i anëtarëve të familjes, sipas certifikatës së gjendjes familjare, që do të thotë se, pavarësisht se një familje me 6 – 7 a më shumë anëtarë sot banon në një objekt pa asnjë kusht të përshtatshëm, ajo përfiton një shumë prej rreth 32,000 lekë në muaj. Shumë, të cilën e merr në mënyrë të menjëhershme për 9 muajt e mbetur të vitit 2015. Në total rreth 290,000 lekë. Sasia mujore e qirasë varion nga 15,000 lekë për një person të vetëm, në rreth 38,700 lekë për një familje me 10 persona”.Doris Andoni: "Drejtoria rajonale e Entit të Banesave Tiranë do të kryejë të gjitha procedurat falas për këto familje, pa aplikuar asnjë kosto administrative. Enti do të depozitojë në numrin e llogarisë të çdo kryefamiljari/familjare, shumën e qirasë për të nëntë muajt e mbetur të vitit 2015. Pjesa tjetër do të akordohet në fillim të vitit 2016. Të gjithë personat që kanë emrin në këto lista janë të lutur të drejtohen sa më parë, në zyrën e Drejtorisë Rajonale të Entit të Banesave të Tiranës, me adresë prapa shkollës “Vasil Shanto”, të pajisur me një çertifikatë të gjendjes familjare; një kopje të kartës së identitetit; të dhënat e llogarisë bankare. Personat që nuk kanë llogari bankare, nëse do të jetë e nevojshme, do të asistohen nga punonjësit e Entit për të hapur një të tillë, në bankën më të afërt. Përparësi në ndihmesën për hapjen e llogarive do të kenë gratë dhe personat e moshuar. Enti Kombëtar i Banesave do të shtojë personelin e shërbimit, nëse do ta shohë të nevojshme për të proceduar sa më parë dhe për të mos krijuar vonesa në shërbim të qytetarëve dhe në realizim të veprës publike”, tha Andoni.