“MË FAL, BIR! Harrova që çdo ditë është një betejë”, letra zemërthyese e Nënës për Djalin

Pasi ka kaluar një betejë të fortë për të shëruar të birin nga problemet me të folurin dhe punon fort për ti siguruar atij dhe vëllait një të ardhme sa më të mirë, nëna sërish ndjen se mund të jepte më shumë për ta, se duhet të japë më shumë për ta. Një letër që të thyen zemrën ka mbërritur në redaksinë e bebja.com nga një nënë shqiptare, e cila dëshiron të mbetet anonim. Por ajo dëshiron ta ndajë historinë e saj me nënat e tjera që ndoshta janë në situata të ngjashme, që t’u japë atyre kurajo që të luftojnë sepse asgjë nuk është e pamundur. Ato duhet të bëjnë çdo gjë për të shëruar fëmijët e tyre.Letra e një nëne për djalin e saj;“Pa kuptuar si kalojnë ditët, si kalojnë orët në të cilat jam e detyruar të punoj shumë më tepër se nënat e tjera, pa kuptuar si humbas shumë nga përditësia jote, kam shumë nevojë të të kërkoj të falur. Të të kërkoj të falur për atë që po humbas nga rritja jote, për atë që po humbas nga adoleshenca jote, për atë që humbas sepse nuk kam kohë të jem shoqja jote më.Si sot e mbaj mend momentin kur ti zemër më bëre nënë, nuk qave, ishe shumë i lodhur nga një lindje e vështirë, andaj shqetesimi im ishte rrënqethës, por pasi dëgjova zërin tënd e ndjeva veten te rritur, ashtu nga njëri çast në tjetrin, e ndjeva veten të fortë, e ndjeva veten nënë. Sa bukur! NËNË!Që nga ai moment unë isha një fëmijë me një fëmijë në duar. Ti qaje pa pushim, e une isha shumë e paditur të të bëja të ndiheshe më mirë, isha shumë vetëm për ta ndarë lodhjen e rritjes së një fëmije nënpeshë me dikë. Por ti ishe miku im më i mirë që në atë moment, i vetmi që kisha në fakt. Aq sa e shëmtuar ish jeta ime bashkëshortore, aq bukur ishte të qenurit mami. U rritëm bashkë, mësuam bashkë, e mbaruam bashkë universitetin, e bashkë aplikuam për master. Habitem tani sa i prirur je ti ndaj kimisë dhe biologjisë, por ti ishe brenda meje në laborator, ishe me mua kur une lexoja deri në orën 6.00 dhe ninullat e tua ishin mikrobiologjia e biokimia.Fillove të flisje shume shpejt, për çudinë e të gjithëve, e përsëri për çudinë e të gjithëve, po aq shpejt mësove edhe të shkruaje. Nuk po u besoja vesheve kur në moshën 4 vjeçare ti më tregove se si e kuptoje mutacionin gjenetik, me atë naivitetin prej fëmije, ti ma shpjegove shumë më mirë se studentët e mi këtë. Nuk kaloi shumë, kur përsëri nuk u besoja veshëve tek të dëgjoja të belbëzoje, të mundoheshe pa fund të thoje një fjali, e në fund të nervozoheshe shumë sepse nuk e nxirrje dot fjalen që doje të thoje.Filloi klasa e parë, pa mbushur 6 vjeç, por ti ishe shumë i përgatitur për të filluar, sa nuk të lashë dot edhe një vit në pritje. I superzgjuar, ky ish konstatimi i parë i mësueses, por nuk kaloi shume kohë, dhe ti nuk flisje më asnjë fjalë në klasë. Belbëzimi yt u kthye në arsye për tallje nga shokët, dhe kështu fjalët e tua ishin shumë të pakta. I përpije librat, por nuk merrje më as mundimin të më tregoje me aq gaz se çfarë lexoje.Kur jeton në periferi të tejskajshme është e vështirë të gjesh specialist për probleme të tilla. Mu desh të të dërgoja jashtë për të diagnostifikuar problemin tënd. Ti tashmë kishe filluar edhe të shkruaje njësoj si flisje dhe fjala “ma ma ma mami” më trumbetonte në kokë çdo sekondë. Eh, sa e vështirë është të vraposh çdo ditë vetëm, për të gjetur një zgjidhje për femijën tënd, sidomos kur asnjë alternative nuk të ofrohet në qytetin ku jeton. “Ka shërbime të tilla, por vetëm në Tiranë”, kjo ishte përgjigja që dëgjoja çdo ditë. Tirana për ne ishte 6 orë larg, në atë kohë.Me mund e gjetëm zgjidhjen, e ktheva botën përmbys të gjeja alternativë kurimi për ty. Terapia të mësoi të pranoje problemin që kishe së pari, e kjo ishte fitore për ty dhe për mua. Ti mësove vetëkontrollin e frymëkëmbimit tënd, e une u bëra doktori yt. Orë të gjata ushtrimesh, besdisje nga ana jote, këmbngulje nga imja. Ti tashmë belbëzon rrallë, sidomos në momentet kur emocionohesh, por ti nuk kompleksohesh aspak nga ky problem. Ti fitove, ne fituam, edhe duke qenë shumë larg Tiranës, ne fituam një beteje, të cilën shumë prej atyre që kanë të njëjtin problem në të njëjtin qytet me ne, nuk kanë mundur ta superojnë.Kanë kaluar 7 vjet që nga ajo kohë. Në qytetin tonë ka disa logopedë tashmë. Fëmijët si ti e nënat si unë, nuk nevojitet të udhëtojnë 6 orë për një seancë logopedie, por shumë prej tyre nuk e pranojnë problemin që kanë fëmijët e tyre, dhe jam shumë krenare që ishe ti fëmija që hapi këtë rrugë.Sot shumë më pak kohë kalojmë bashkë, shumë më pak luajmë bashkë. Tu përkushtova ty në një periudhë të vështirë, pastaj harrova që ti ke njësoj nevojë për mua, çdo ditë. Mendova se të të ofroja të gjitha të mirat materiale më bënte nënë më të mirë. Harrova që prezenca në ditën tënde më bën nënë më të mirë, jo sa shumë punoj. U rrite ti, u rrita edhe unë bashkë me ty, dhe harrova që mikun më të mirë të kam ty. Gjithë fjalët e fjalorit nuk do ta justifikonin dot atë që ti më the dje: “ke harruar të jesh mami”. Vërtet, kam harruar të jem mami! T’ju siguroj fëmijëve lap top, Iphone, tablet, play station, nuk më bëri mami më të mirë, përkundrazi, nuk i pajisi ata me një fëmijëri më të mirë!MË FAL, BIR! Më fal që nuk kam kohë të punoj më pak që të siguroj jetesën tonë! Ne kemi fituar betejë të madhe bashkë, por rrugës harrova që çdo ditë është një betejë, një betejë për një jetesë të bukur së bashku!Marrë nga: bebja.com