Kenia, një nga 4 autorët e masakrës, djali i një zyrtari të qeverisë

Autoritetet në Kenia kanë identifikuar një prej anëtarëve të grupit al-Shabab që masakruan 148 njerëz në një universitet. Ai është djali i një zyrtari të qeverisë në Kenia.Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme tha se Adbi-rahim Abdullahi ishte mes katër autorëve të sulmeve vetvrasëse në masakrën e së enjtes në Kolegjin Universitar Garissa.Zëdhënësi tha se zyrtari i qeverisë kishte njoftuar më parë për zhdukjen e të birit.Ndërkohë, kenianët ia dedikuan ceremonitë e Pashkëve viktimave të masakrës së të enjtes.Në mbarë vendin u mbajtën shërbesa fetare nën masa të larta sigurie.Në një zhvillim tjetër, shefi i sigurisë së Kenias ka mbrojtur reagimin nga forcat speciale ndaj sulmeve.Agjencia franceze e lajmeve njofton se u deshën të paktën shtatë orë që forcat speciale të shkonin në skenën e masakrës pas fluturimit nga kryeqyteti Nairobi, disa orë pasi personeli i sigurisë luftoi me militantët.Disa gazetarë që përshkuan me makinë distancën prej 365 kilometrash, njoftohet se arritën në skenë para forcave speciale.