Festa e Pashkëve, ja çfarë uroi politika për besimtarët
Qindra besimtarë katolikë ditën e sotme kanë kremtuar Pashkët, Ringjalljen e Krishtit. Urimeve për këtë festë i janë bashkuar krerët më të lartë të shtetit.Kështu presidenti Bujar Nishani nëpërmjet një njoftimi zyrtar ka theksuar se dita e bekuar e Pashkëve këtë vit e ka gjetur Shqipërinë edhe më afër familjes evropiane dhe kjo përbën një tjetër dëshmi se shpresa jonë nuk shuhet, por ringjallet si Krishti me më tepër fuqi.Edhe pse ka qenë i pari që ka uruar besimtarët katolikë, kreu i PD Lulzim Basha dhe kryeministri Edi Rama, tre orë më pas, kanë zgjedhur simbolin e Pashkëve që janë vezët e zbukurura për të uruar besimtarët katolikë. Urimin e tyre Basha dhe Rama kanë zgjedhur që ta bëjnë nëpërmjet rrjetit social facebook.Ndërsa kryeparlametari, Ilir Meta, urimin e tij për Pashkët preferoi ta bëntë nga katedralja e Shën Palit, duke dhënë mesazhin se kjo festë është një moment për të refektuar pasi pas kryqëzimit vjen ringjallja.“Në këtë ditë të shenjtë do të dëshiroja të uroja të gjithë besimtarët, të gjithë shqiptarët dhe natyrisht që është një moment për të reflektuar. Ngjitja e Jezusit në qiell është një ftesë për të gjithë për tu ngritur në lartësinë e besimit, të shpresës dhe të mirësisë, sepse pas kryqëzimit vjen ringjallja, sepse e gjithë jeta është sakrificë, por ringjallja, rilindja dhe rikthimi, vinë vetëm përmes sakrificës së epërme. Ndaj do të doja sot në këtë ditë të veçantë t’i uroja të gjithë besimtarëve katolik dhe të gjithë qytetarëve shqiptar më shumë paqe harmoni, dashuri, qetësi dhe mirëkuptim në familjet e tyre dhe në shoqërinë tone”.Pas kryeparlamentarit Meta nga katedralja e Shën Palit kanë qënë dy emrat e përfolur për kryetarë bashkie Erion Veliaj dhe Blendi Klosi të cilët të shoqëruar nga Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla përcollën urimet në emër të PS-së.Ndërsa i pyetur nga Ora News në lidhje më kandidimin e tij, deputeti i PS-së Blendi Klosi preferoi të mos përgjigjej.Ndërsa PD kishte zgjedhur që urimin e saj për besimtarët katolikë ta përcjellë nëpërmjet deputetit Aldo Bumçi, i cili në fjalën e tij vuri theksin tek dy shqiptarët të cilët u pagëzuan nga Papa Françesku, gjë që sipas tij dëshmon lidhjen e ngushtë që egziston ndërmjet Shqipërisë dhe Vatikanit.