Pashkët, Papa Françesku uron një botë pa ulërima armësh

“Paqe në të gjitha zonat e konfliktit dhe ndal përndjekjes së të krishterëve”.Ka qenë ky mesazhi i Papa Françeskut dhënë në meshën e Pashkëve, në fjalimin "Urbi et Orbi" mbajtur në sheshin “Shën Pjetër” këtë të dielë."Kërkojmë paqe dhe liri për shumë burrat dhe gratë që vuajnë nga forma të vjetra dhe të reja të skllavërimit nga ana e individëve dhe grupimeve kriminale.Paqe dhe liri për viktimat e trafikut të drogës që aq shpesh kanë mbështetje nga ata që duhet të mbrojnë harmoninë në familjen njerëzore, dhe paqe për këtë botë të nënshtruar ndaj trafikantëve të armëve".Vëmendje të veçantë, Papa i kushtoi studentëve të vrarë të enjten në Kenia, një pjesë e mirë e të cilëve u ekzekutuan pikërisht pse ishin të krishterë nga militantët e grupimit terrorist, Al-Shabab.Papa 78-vjeçar, përsëriti edhe një herë lutjet e tij për paqe edhe në Libi, Irak dhe Siri, ku gjithashtu të krishterët janë përndjekur nga militantët e Shtetit Islamik."I kërkojmë Jezusit, atij që mundi vdekjen, që të lehtësojë vuajtjet e shumë vëllezërve dhe motrave që janë përndjekur në emër të tij dhe të gjithë atyre që vuajnë padrejtësitë nga konfliktet që ka sot bota, të cilët janë vërtet shumë".Dhjetra mijëra besimtarë katolikë nga e gjithë bota, ndoqën me emocion fjalimin e Bergoljos në Vatikan, duke sfiduar shiun e dendur.