Vrasja e katërfishtë, Gjykata 35 vjet burg për Kostandin Xhuvanin

35 vjet burg. Ky është dënimi që  Gjykata e Tiranës ka vendosur për 26-vjeçarin Kostandin Xhuvani, autori i masakrës me katër viktima në lokalin e natës “Ante Grand” në rrugën e Elbasanit në Tiranë me 4 nëntor 2014. 

Vendimi përfundimtar u lexua nga gjyqtari Sokol Tona. Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë Tiranë, për deklarimin e fajshëm të të pandehurit Xhuvani dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar i Xhuvanit shkon në 35 vjet heqje lire. 

Edhe pse i pandehuri Xhuvani në seancën e një dite më parë kishte kërkuar nga trupi gjykues ta gjykojnë drejt çështjen në ngarkim të tij, duke u justifikuar se ka vepruar në gjendje jo të mirë mendore, mëngjesin e krimit, Gjykata nuk ka pranuar rrethanat lehtësuese. 

Tona: Për sa i përket rrethanave të tilla si pendimi i pandehurit, apo kryerja e veprës penale nën efektet e përdorimit të alkoolit apo lëndëve narkotike, Gjykata vlerëson se rrethana të tilla nuk mund të konsiderohet lehtësuese, në kuptim të lehtësimit të dënimit ndaj të pandehurit, të tilla që të ndikojnë në llojin e masës së dënimit ndaj tij.” 

Kostandin Xhuvani do të vuajë dënimin në një nga burgjet e sigurisë së lartë në vend, ndërsa nuk lejohet lirimi i tij me kusht. 

Pra do ti vuajë të plota 35 vjet heqje lirie. Xhuvani akuzohet si autor i vrasjes së shtetasve Edison Jaho dhe Enea Xhaji, pas një grindjeje të çastit në ambientet e një lokali nate në Rrugën e Elbasanit. 

Nga të shtënat me armë zjarri humbën jetën edhe shtetasi Arbër Demiraj, si dhe shtetasi italian Xhanpaolo Azzolo, i cili ndërroi jetë në spital.