Obama shpall Venezuelën kërcënim kombëtar

Presidenti amerikan, Barak Obama, shpalli përmes një dekreti Venezuelën si rrezik kombëtar dhe urdhëroi vendosjen e sanksioneve për shtatë zyrtarë të shtetit amerikano-jugor. Nga ana e saj Venezuela deklaroi se do të përgjigjej shumë shpejt ndaj këtij veprimi, duke i çuar marrëdhëniet mes dy shteteve në pikën më të ulët që prej marrjes së pushtetit nga presidenti socialist, Nikolas Maduro në vitin 2013.Zëdhënsja e Departamentit të Shtetit, Xhen Psaki, tha se shpallja e një vendi rrezik kombëtar shtë hapi i parë i një vale sanskionesh që do të ndërmerren në të ardhmen, njëlloj sikur ka ndodhur me Sirinë, apo vende të tjera në të kaluarën."Po vëmë në zbatim atë për të cilën kemi muaj që punojmë, ndëshkimin e atyre që shkelin të drejtat e njeriut, abuzuesit dhe ata që po dhunojnë shoqërinë civile. Akuzat e presidentit Maduro janë vetëm një shpërqendrim ndaj problemeve që ai ka në vendin e tij"Ndërsa Shtëpia e Bardhë bëri të qartë se urdhri ekzekutiv i Obamës erdhi për shkak të minimit të demokracisë që ishte parë në Venezuelë, si dhe kufizimin e lirisë së shprehjes dhe rritjen drastike të korrupsionit në administratën publike.Të shtatë zyrtarëve të përmendur në vendimin e presidentit, të cilët mbajnë pozicione të rëndësishme në agjencitë e sigurisë dhe shërbimin informative të vendit, u janë bllokuar asetet dhe pronat që kanë në Shtetet e Bashkuara si dhe iu është hequr e drejta për të vizituar vendin.Vetëm një javë më parë, presidenti Nikolas Maduro, pas akuzave drejt SHBA-së se dëshiron ta rrëzojë nga pushteti, dhe arresimit të disa shtetasve amerikanë të akuzuar për spiunazh, vendosi regjimin e vizave për shtetasit amerikanë dhe urdhëroi Uashingtonin të zvogëlojë personelin në ambasadën e tij në Karakas.