I jepet lamtumira Nemtosvit, Kremlini ndalon hyrjen e politikanëve europianë
Mijëra rusë u mblodhën në Moskë për t'i dhënë lamtumirën e fundit liderit të vrarë të opozitës ruse, Boris Nemtsov.Ata mbanin radhën në qetësi për ta parë për herë të fundit para se të niste udhëtimin për në banesën e fundit, ndërsa e dashura e tij, Ana Duritskaja, nuk mori pjesë në ceremoni pasi u kthye për në Ukrainë, vendlindjen e saj.Edhe lideri i burgosur i opozitës, Aleksei Navalni, nuk u lejua të dilte nga qelia për të marrë pjesë në varrim edhe pse kishte bërë kërkesë.Vetë Presidenti Vladimir Putin nuk mori pjesë, por dërgoi përfaqësues. Ish-Kryeministri britanik, Xhon Mejxhër, ishte ndër personalitetet më të mëdha të vendeve perëndimore që morën pjesë në ceremonitë, ndërsa disa politikanë të Bashkimit Europian, mes tyre edhe kryetari i parlamentit polak, Bogdan Borusevic, nuk u lejuan të merrnin pjesë.Zëdhënësja e Komisionit Europian, Maja Koçijançiç, u citua nga AFP të thoshte se ky vendim i Rusisë ishte një shkelje e parimeve bazë dhe një vendim arbitrar.Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se do t'i kërkonte Rusisë të bënte më tepër për garancinë e lirisë së fjalës, duke e quajtur të trishtë dhe mjaft të rëndë ekzekutimin e opozitarit Nemtsov."Presim që të bëhet gjithçka për ta sqaruar këtë vrasje. Shpresoj dhe këtë dua ta bëj të qartë, ne duam që nejrëzit që e mendojnë ndryshe në Rusi të kenë një mundësi të shprehin mendimet e tyre, edhe pse e di që kjo nuk është aspak e lehtë".Shumë mbështetës të kritikut thonë që vrasja e tij është një shenjë e qartë sesa e rrezikshme është të flasësh kundër Presidentit Vladimir Putin, siç tregoi ekzekutimi i tij në dyert e Kremlinit.Deri më tani nuk është kryer asnjë arrestim dhe nuk ka asnjë të dyshuar për ngjarjen, edhe pse një televizioni lokal rus ka dorëzuar pamjet filmike të nje makine që largohet nga vendngjarja nëpër rrugët e Moskës.