Përmbytjet, Patozi: S’na duhet një qeveri stallë dhensh, Parlament pularie e PD fabrikë mielli
Nga e majta Ben Blushi, pak dit më parë bëri rolin e kritikuesit për mazhorancën por dhe për opozitën, sot në parlament me këtë rol tek e djatha u shfaq ish/numri dy i Partisë Demokratike, Astrit Patozi. Ai iu referua përmbytjeve në jug të vendit, për të thënë që politika e të dy krahëve nuk është në nivelin duhur, dhe kërkohen politika afatagjata për mirëqënjen e qytetarëve."Ne nuk kemi nevoje për një kryeministër që shpërndan dele dhe as për një kryetar kuvendi, që u çon peshqesh fshatarëve zogj, sepse nuk di që në qeveri të ketë ndonjë stallë dhensh dhe as në parlament të jetë hapur ndonjë pulari. Dhe që të jem i drejtë deri në fund, e njëta gjë vlen edhe për furgonat me ushqime, që nisen nga selia e opozitës, ndërkohë që nuk di që atje të ketë ndonjë fabrikë mielli apo magazine orizi. Nëse duam vërtetë t'i ndihmojmë ata njerëz duhet që në këtë sallë të miratojmë sa më parë një strategji afatgjatë për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë atyre tragjedive të rënda familjare, qe pothuajse përsëriten çdo vit."Patozi u solidarizua, me Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, për shpërthimin me tritol në pronën e babait të tij."Dënoj me forcë çdo akt dhune dhe do ta bëj këtë me të njëjtën forcë, cilido qoftë i sulmuari. Por puna është se Saimir Tahiri nuk është aty që ta mbështesim sa herë ta sulmojnë, por që të na mbrojë ne nga sulmet e krimit. Nuk është ai që duhet të ketë nevojë për solidaritetin dhe mbështetjen tonë, por krejt e kundërta. Në rast se bandat e kanë si lojë tritolin mbi familjen e ministrit të Brendshëm, çfarë mund të bëjnë ata me qytetarët pa pushtet?”Sipas Patozit, situatë e rendit në vend është në një kohë të zymtë dhe medaljet mbi gjoksin e ministrit te Brendshëm, që vendos herë pas here nga kryeminsitri Edi Rama nuk kanë, sa kohë që ministri ka më shumë nevojë për mbështetjen e të pambrojturve, se sa kemi ne për mbrojtjen e tij.Ja një pjesë nga fjalimi ne foltoren e kuvendit Astrit Patozi : "Mua më shqetëson epidemia e shpërndarjes pa doganë të medaljeve si mentalitet qeverisës gjatë këtyre dy vjetëve. Pavarësisht se nuk është objekt i këtij ligji, kryeministri i vendit është në fakt medaljeshpërndarësi më i pakonkurrueshëm në Shqipëri. Praktikisht ne drejtohemi sot nga një qeveri e cila, në mungesë të punëve të mira në këtë vend, i jep medalje dhe dekorata vetes për vepra të pakryera ndonjëherë. Madje shefi i saj nuk e ka fare problem që shumicën e medaljeve t'i vendosë në xhaketën e vet njësoj si tre lapsat me ngjyra gjatë parakalimit "Je suis Charlie" në Paris. Vetëm ditët e fundit ne kemi marrë pjesë, edhe pse në mënyrë pasive, në ceremonitë e akordimit të disa medaljeve. Ato si gjithmonë shfaqen live në ekrane. A nuk e patë kryeministrin se si para një jave, në vend që të dekoratës kish vënë në gjoks një qingj të njomë, kur po mburrej se kishte shkëputur nga tufa e tij 200 krerë dele për t'ia zëvendësuar një fshatari që humbi kopenë nga përmbytja. Disa ditë më pas, të njëjtën gjë bëri dhe kryetari i kuvendit, i cili ndoshta për të mos imituar plotësisht, ose ndoshta për t'u treguar më kreativ, në vend të deleve, dërgoi në Ferras 5000 zogj pulash. Përveç se irrituese, inskenime të tilla janë fyese, jo thjesht për banorët e përmbytur, por për çdo qytetar të këtij vendi që pret gjë tjetër nga qeveria e vendit të vet. Qindra familje të përmbytura në Vlorë, Fier, Berat, Gjirokastër kanë nevojë sot për mbështetje të barabartë dhe reale nga shteti i tyre dhe jo për filantropi zyrtarësh të lartë. Mbi të gjitha ata kanë nevojë për garanci, se përmbytjet do të kthehen në fatkeqësi kronike për ta sa herë që të zemërohet qielli. Nëse do të shkosh si burrë shteti në Novoselë apo Levan, merr me vete vendimin e qeverisë që dëmshpërblen në mënyrë të plotë çdo dëm të shkaktuar nga përmbytja dhe ke kryer detyrën ndaj njerëzve në fatkeqësi. Sepse delet e mbytura atje janë shumë më tepër se 200, po ashtu dhe pulat, zogjtë, lopët, frigoriferët apo dëmet e tjera të shkaktuara nga vërshimi i lumenjve. Sepse ata qindra e mijëra të tjerë që kanë pësuar fatkeqësi të ngjashme nuk gëzohen dot me delet e bashkëfshatarit të tyre të cilit iu kthyen nga pseudo-bujaria e kryeministrit vetëm për ta nxjerrë në televizor. Ne nuk kemi nevojë për një kryeministër që shpërndan dele, dhe as për një kryetar kuvendi që u çon fshatarëve zogj sepse nuk di që në qeveri të ketë ndonjë stallë dhensh dhe as në parlament të jetë hapur ndonjë pulari. Dhe që të jemi të drejtë deri në fund, e njëjta gjë vlen edhe për furgonët me ushqime që nisen nga selia e opozitës, dhe nuk di që atje të ketë ndonjë fabrikë mielli apo magazinë orizi. Që t'i ndihmojmë ata njerëz duhet që në këtë sallë të miratojmë një strategji afatgjatë për t'i dhënë një herë e mirë fund atyre tragjedive familjare që pothuajse përsëriten çdo vit".[caption id="attachment_467289" align="aligncenter" width="640"]
Ne foto: Rama ne Fier dt 14 Shkurt 2015[/caption][caption id="attachment_467288" align="aligncenter" width="640"]
Ne foto: PD shperndan ndihma te selia per te permbyturit dt 8 Shkurt 2015[/caption][caption id="attachment_467287" align="aligncenter" width="640"]
Ne foto: Ilir Meta ne Levan dt 17 shkurt 2015[/caption]