Gjenden monedhat 1000-vjeçare në Izrael
Në brigjet e Izraelit janë gjetur dy mijë monedha një mijë-vjeçare. Historianët thonë se ky zbulim do të hedhë dritë mbi epokën e Kalifatit shiit të pasardhësve të vajzës së profetit Muhamed.Rreth dy mijë monedha 1000-vjeçare të gjetura në brigjet e Izraelit pritet të hedhin dritë mbi një prej Kalifateve që lulëzonin në Lindjen e Mesme në një periudhë të veçantë të historisë. Monedhat në fjalë janë të epokës së Kalifatit shiit të pasardhësve të Fatimas, vajzës së Profetit Muhamed të ngritur në shekullin XI. Ato janë gjetur pranë portit të qytetit të vjetër romak, Çezarea, dhe mendohet të kenë qenë brenda një anije të mbytur në atë periudhë.Monedhat arabe janë prodhuar fillimisht në periudhën e Kalifit Al-Hakim në vitet 996-1021 dhe djalit të tij, Al-Zahir në vitet 1021-1036. Pasuria e Kalifatit në fjalë, që u ngrit në Afrikën e Veriut, mendohet të kapte shifrën e 12 milionë monedhave të cilat ruheshin me fanatizëm në Kajro, ku edhe kishin rezidencën kalifët."Gjetëm një thesar madhështor me monedha ari që me siguri kanë qenë brenda një anijeje të nisur për në Kajro dhe që është mbytur rrugës,” thotë Xhekob Sharvit, nga Autoriteti Izraelit i Antikuareve. Ai shton se dy javë më parë disa të apasionuar pas zhytjeve gjetën disa prej monedhave dhe fillimisht menduan se ishin lodra fëmijësh, por shumë shpejt kuptuan se çfarë kishin gjetur. Dhe pas dy operacioneve të kryera në zonë nga zhytës profesionist, u rikuperuan rreth 2000 monedha, të cilat peshojnë në total rreth gjashtë kilogramë e gjysmë dhe vlerësohen rreth 240 000 dollarë."Monedha të kësaj periudhe janë gjetur edhe në tokë në disa zona, por është hera e parë që arrijmë të bëjmë një sasi kaq të madhe," shton Sharvit, për të cilin këto monedha do të ofrojnë më shumë informacion për praktikat tregtare të Kalifatit të asaj periudhe, pasi vërteton se ata ishin muslimanët e parë që përdorën anijet tregtare përmes Mesdheut.Çka do të thotë që, pavarësisht se ata ishin në luftë me të krishterët bizantinë dhe perëndimorë, sërish kishin flotë ushtarake dhe tregtare, dhe me këtë të fundit kryenin lirshëm biznes në të gjithë rajonin.