“Muzeu njerëzor” në Berlin, ekspozohen trupa të vërtetë të paprekur
Mund të jetë dënimi me vdekje për muzeun e dyllit "Madame Tussauds" në Berlin. Një muze i ri në kryeqytetin gjerman do t'i ofrojë vizitorëve koleksionin më të veçantë në botë, trupa të vërtetë njerëzorë të cilët janë ruajtur thuajse të paprekur, në pozicione të ndryshme."Körperwelten", ose "Botët e Trupit", është muzeu më i ri në Sheshin "Alexander" i cili pritet të hapë sot dyert për publikun pas shumë përplasjeve me autoritetet lokale, që u përpoqën ta ndalonin, pa ia arritur, edhe pas një çështjeje të gjatë gjyqësore.I njohur ndryshe edhe si "Muzeu Njerëzor", në të janë ekspozuar 20 trupa të plotë, por edhe një numër i madh organesh, kockash dhe pjesë lëkure që janë ruajtur si të ishin të gjallë falë një teknike "plastifikimi" të zhvilluar nga anatomisti gjerman Gynter von Hagens, ku uji dhe dhjami trupor zëvendësohen me materiale plastike, për të shmangur dekompozimin.Koleksioni kryesor i ofron vizitorëve mundësinë për të parë nga afër trupin, indet muskulore, nyjet dhe aparatin tretës të trupave njerëzorë. Dhe nëse ka të interesuar që të bëhen të famshëm pas vdekjes, gjithkush mund të kërkojë të dhurojë trupin e tij pasi të ndërrojë jetë.Këtë duket se ka bërë Detlef von Vengler, duke shkaktuar reagime të ndryshme nga miq dhe të afërm."Disa thonë se është gjë e mirë, ndërsa disa të tjerë thonë "Çfarë ke bërë, për atë Zot?". Por për mua gjithçka këtu është art. E di që ato trupa dikur kanë qenë njerëz të vërtetë, por kur i sheh nga afër nuk duken si të tillë. Vërtet që nuk i kuptoj ankesat", thotë ai.Muzeu hapet pas nëj pune mbi njëzetvjeçare, ku trupa njerëzorë janë nxjerrë në vitrinë në të gjithë botën si pjesë e projekteve pilot. Pavarësisht dënimit dhe akuzave nga grupimet fetare, publiku duket se i pëlqen.Që prej ekspozitës së parë në Tokio në vitin 1995, mbi 40 milionë vetë kanë nxituar të shohin ballë për ballë trupat e ekspozuar në më shumë se 20 shtete të ndryshme.Vetë doktori Von Hagens, i cili vuan nga Parkinsoni, ishte dukshëm i prekur në ditën e përurimit, i shoqëruar nga bashkëshortja dhe ndihmësja e tij më e madhe, Anxhelina Uollei.Ndërkohë që njerëzit janë të ndarë në mendimet e tyre mbi projektin, vetë Von Hagens e ka vërtetuar se i pëlqen të jetë në qendër të vemëndjes, qoftë edhe për arsyen e gabuar. Në vitin 2002, ai kreu një autopsi në prani të kamerave dhe publikut, duke shkaktuar jo pak reagime. Ndërsa në vitin 2010 ai hapi dyqanin e parë online ku shiteshin pjesë trupore njerëzisht dhe kafshësh të ndryshme. Gjithsesi, vetëm ata që sigurojnë prova të mjaftueshme që synojnë t'i përdorin për qëllime shkencore trupat mund të jenë klientë, ndërsa aksesorë të ndryshëm të bërë me pjesë karkasash kafshësh janë në shitje për publikun e gjerë.Sido që të gjykohet, e sigurt është që Berlinit i shtohet një tjetër pikë turistike që me siguri do të tërheqë vizitorë.