7-vjetori i pavarësisë së Kosovës nën hijen e problemeve ekonomike
Kosova festoi sot 7 vjetorin e Pavarësisë me festime nëpër rrugë, por edhe me probleme të shumta ekonomike.Ceremonitë zyrtare për ditën e shënuar kanë nisur me homazhe tek varri i Presidentit Ibrahim Rugova dhe i komandantit Adem Jashari, dhe vazhduan me një mbledhje solemne të Kuvendit të Kosovës saktësisht në orën 15:15, kur shtatë vjet më parë u lexua deklarata e pavarësisë.Në seancë munguan deputetët e Listës Serbe, ndërsa ata të Vetëvendosjes u futën në sallë vetëm pas ekzekutimit të himnit.Veseli: Vend për vetëmburrje nuk ka"Janë bërë vërtet hapa të rëndësishëm në këtë drejtim, hallkat bazike të shtetësisë janë konsoliduar. Por një gjë duhet ta pranojmë që të gjithë, vend për vetëmburrje nuk ka,projekti i shtetformimit vazhdon të përballet ende me sfida të mëdha".Mustafa: 17 Shkurti ndan historinë e Kosovës në dy faza"Ndjehem i privilegjuar që kam rastin t'iu drejtohem sot për shtatë vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ditës kur përfaqësuesit tanë e bënë vendin tonë pjesë të familjes së madhe të vendeve të lira dhe demokratike të botës. 17 Shkurti i vitit 2008 është akti më madhështor i lirisë së vendit tonë. Është çasti më sublim i gjithë Kosovës. Kjo datë madhështore është kufiri kohor që ndan historinë e Kosovës nga e shkuara e saj tragjike".Shteti më i ri i Europës mori urime të shumta nga krerë të ndryshëm shtetesh dhe kryediplomatë, si Presidenti amerikan, Barak Obama, bashkë me sekretarin amerikan të shtetit, Xhon Kerri, por edhe Mbretëresha Elizabet II dhe presidenti turk, Rexhep Erdoan.Ndërsa Presidentja Jahjaga organizoi një pritje të veçantë për diplomatët e akredituar në Prishtinë.Pavarësia e Kosovës u shpall më 17 shkurt të vitit 2008. Për të mbërritur deri në këtë ditë, vendi që në atë periudhë administrohej nga UNMIK, kaloi në një proces të gjatë lufte dhe vuajtjesh.Por sot, pas shtatë vitesh, Kosova përballet me një papunësi që kap shifrat alarmante 40%, protesta dhe një eksod masiv qytetarësh.Sipas statistikave, mbi 50 000 vetë kanë braktisur vendin që nga nëntori i vitit të kaluar, që largohen për shkak të kushteve të rënduara ekonomike.