Kryeministri Tsipras-BE: Nuk mund të na shantazhoni!
Një ditë pas dështimit të raundit të dytë të bisedimeve BE-Greqi, kryeministri Aleksis Tsipras, tha se qeveria e tij nuk do të nënshtrohej nga shantazhet e partnerëve të Eurozonës, por kërkon një marrëveshje ku të përfitojnë të gjitha palët.Në fjalën e tij në parlamentin helen, Tsipras tha se Greqia po punonte për të arritur akordin, por Qeveria ka ndërmend të mbajë premtimet zgjedhore për t'i dhënë fund masave shtrënguese të imponuara nga Bashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar."Nuk e kemi me nxitim të arrijmë kompromisin, por sidoqoftë po punojmë për një marrëveshje pa masa shtrënguese, të cilat e shkatërruan Greqinë në vitet e fundit. Nuk duam përplasje, por një marrëveshje të realizueshme pas negociatash të forta dhe refuzojmë që t'i nënshtrohemi shantazhit psikologjik. Për herë të parë prej disa vitesh grekët nuk thonë "po" për gjithçka".Të hënën, takimi mes Ministrave të Financave të Eurozonës dështoi sepse Greqia refuzoi shtyrjen e marrëveshjes ekzsituese edhe për gjashtë muaj pas përfundimit të saj më 28 shkurt.Ai kritikoi veçanërisht Ministrin e Jashtëm gjerman, Volfgang Shojble, për reagimin e tij në mbledhjen e së hënës, por nxitoi të shonte se Qeveria greke nuk ndante pikëpamjet e një prej gazetave pro Syriza-s që kishte botuar një karikaturë të tij si nazist.Pavarësisht përkushtimit të Tsipras për të mbajtur premtimet, dështimi në bisedime është pasqyruar menjëherë në tregjet greke, ku bursa humbi më shumë se 4 pikë të martën, ndërsa aksionet e bankave greke ranë mesatarisht me 9%, duke rritur frikën se vendi është pranë daljes nga Eurozona.