PS fajëson PD për bllokimin e Veliaj. Vokshi: Ju përzunë banorët

Partia Socialiste dhe ajo Demokratike janë përlasur sot ne distancë përmes deklaratave lidhur me incidentin e ndodhur dje në Ferras të Fierit, ku u bllokua për disa minuta dhe më pas u desh të devijonte rrugë autokolona e makinave me zyrtarë të lartë të shtetit.Deputeti socialist, Besnik Bare, bëri përgjegjës edhe njëherë aktivistët demokratë të zbarkuar nga Tirana. Sipas tij është e pafalshme që forca kryesore opozitare të bëhet pengesë fizike strukturave të solidaritetit në ndihmë të të përmbyturve.“Dje një akt i shëmtuar ka ndodhur në Fier, teksa aktivistë të Partisë Demokratike të zbritur nga Tirana, i kanë zënë rrugën dy karvanëve me ndihma për banorët e zonave të përmbytura.Aktivistet në fjale, hipur mbi makina të shtrenjta dhe pa asnjë lidhje me zonën e përmbytur të Fierit, kanë inskenuar një bllokim të turpshëm për të realizuar me celularët tyre filmime që nxisin përçarje dhe urrejtje.Sot është koha për të qenë solidarë me vepra e jo me deklarata hileqare në mbështetje të të gjithë atyre që kanë nevojë për bashkim njerëzor jo për përçarje politike; për dashuri njerëzore jo për urrejtje politike; përmbështetje reale në oborrin e shtëpisë jo për abuzim politik nga oborri i SHQUP-it.Është e pafalshme që forca kryesore opozitare, pasi për dite me radhe u lut haptazi që të ndodhte më e keqja dhe bëri çmos të përdorte politikisht banorët e përmbytur, tani i bëhet pengesë fizike strukturave të solidaritetit në ndihmë të të përmbyturve”.Bare u kujtoi edhe njëherë demokratëve se vërshimi i ujit nuk pyet për parti. Sipas tij është rasti që Partia Demokratike të dalë nga balta e përmbytjes.“Vërshimi i ujit nuk pyet për të majtë e për te djathtë, sikundërse ata që janë sot në nevojë janë në radhë të parë shqiptarë, njerëz në hall që kanë nevojë për miq majtas e djathtas dhe për ndihmë reale ngado që ajo mund të vijë.Është detyrimi i ynë të ndihmojmë çdo shqiptar, pavarësisht bindjeve politike. Ndaj i bëjmë thirrje Partisë Demokratike të distancohet nga veprime të tilla dhe, edhe në kushtet kur ka banorë natyrshëm të stresuar nga përmbytja, t'i ndihmojë dhe jo t'i acarojë më keq me provokime, me shpifje e me turpe si ai i djeshmi.I bëj thirrje personalisht Lulëzim Bashës që të mos na e kujtojë orë e çast dhe për çdo gjë famëkeqin Sali Berisha.Mjaft me politikën përçarëse të urrejtjes së Saliut për të tjerët; mjaft me taktikat e diskredituara të Saliut ku populli përdoret si mish për top; mjaft me gjuhën e vjetër të atij që hedh gurin e fsheh dorën.Është rasti që Partia Demokratike të dalë nga balta e përmbytjes ku e la Saliu dhe të bëhet krah i njerëzve të përmbytur me aq sa mundet dhe si mundet. Turpi i djeshëm nuk duhet të përsëritet më sepse na turpëron të gjithëve!”

PD:Rama thellon arrogancën me të përmbyturit e sulmon opozitën

Deklaratat nga selia e PS-së kanë marrë përgjigje vetëm pak minuta më pas nga demokratët. Deputetja, Albana Vokshi, e cila ishte bashkëudhëtare dje me të rinjtë e FRPD-së në ndihmë të të përmbyturve, tha se Rama në vend që të shpall emergjencën sulmon opozitën.Sipas Vokshit, arsyen se pse Ministrat e zyrtarët po dëbohen nga qytetarët, Kryeministri duhet ta kërkojë tek braktisja që u ka bërë atyre pikërisht në ditën që duhej t’u gjendej pranë.“Nuk shpall gjendjen e emergjencës civile, nuk destinon fondet e duhura për situatën e rëndë, por ushqen papagallin e radhës me sulme të ulëta ndaj opozitës, një ditë pasi ka ndaluar me dhunë dhe pa motiv ligjor aktivistët e rinj të Partisë Demokratike të cilët po shpërndanin ndihma në zonat e përmbytura.Edi Rama nuk është në asnjërën ditë të vitit në krah të qytetarëve, por në situata të tilla fatkeqësie e ka për detyrim, të mobilizohet me të gjithë strukturat, mjetet e fondet.Kush e pengon t’u gjendet qytetarëve afër? Edi Ramën e pengon vetëm një gjë. Mungesa e ndjenjës së shërbimit për qytetarët. Mungesa e përgjegjshmërisë.Po përmendim vetëm një fakt sot. Fondi i dhënë nga Edi Rama për rezervat e shtetit për ushqime në vitin 2014 është 6 milionë lekë të reja. Për vitin 2015 është 10 milionë lekë te reja. Pra gjithsej 120 mijë euro, ndërkohë që ai dha 200 mijë euro për përmbytjet në Serbi dhe Bosnje”.