Dita botërore e kancerit, Ylli: Shoqëria shqiptare po ndërgjegjësohet
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Kancerit, i ftuar në emisionin "Ditë e Re", specialisti i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli shprehet se "shoqëria shqiptare është duke u ndërgjegjësuar gjithnjë e më tepër, dhe kjo është një nga 7 objektivat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Në këtë ditë ndërkombëtare të kancerit, përveç përgatitje së sistemit shëndetsor, përveç kontrollit të faktorëve risk, është e rëndësishme të përgatitet e gjithë shoqëria"."Një epidemi e kancerëve në botë, që është duke u rritur në shumicën dërrmuese të vendeve në zhvillim. Ende kanceri nuk është shkaku më madhor i vdekjeve, por qëndron në vend të dytë pas sëmundjeve kardiovaskulare. Nëse sëmundjet kardiovaskulare shkaktojnë më shumë se gjysmën e vdekjeve, pra 1 në 2 persona, në rastin e kancerit jemi 1 në 4 persona. Në të ardhmen e afërt besoj se raporti do të shkojë 1 në 3. Kanceri është duke marrë me shpejtësi një vend prioritar nga pikëpamja e shëndetit publik dhe për këtë arsye duhet të ndërgjegjësohen të gjithë, nga individët deri tek udhëheqësit, deri tek qeveritë e politikanët. Shoqëria shqiptare, për mendimin tim, është duke lëvizur me shpejtësi në këtë drejtim. Nuk duhet ta konsiderojmë kancerin si një sëmundje normale si gjithë të tjerat, por të përballemi me këtë sëmundje, mesazhi i së cilës këtë vit është 'Mund të mposhtet!'," përfundoi Alban Ylli.