Jo më naftë pa cilësi, Rama inspekton laboratorin e rikonstruktuar të IQT

Kryeministri Rama premtoi sot se makinat e shqiptarëve nuk do të shkatërrohen nga nafta jocilësore. Duke folur nga laboratori i rikonstruktuar i Inspektoratit Qendror Teknik, kreu i qeverisë garantoi se falë pajisjeve moderne, do ti jepet fund spekullimit me karburantin. Ndërkohë Ministri i Energjisë Gjiknuri tha se nga ky laborator do përfitojnë edhe vendet e Ballkanit.Tiranë-Makinat e shqiptarëve nuk do të jenë më të kërcënuara nga nafta jocilësore. Garancia u dha nga Kryeministri Edi Rama gjatë inspektimit të laboratorit të Inspektoratit Qendror Teknik.Sipas Kreut të qeverisë ky laborator modern siguron një strukturë kompetente për të luftuar çdo spekullim me naftën.“ Investimi në këtë laborator na siguron që të kemi një strukturë shumë kompetente dhe shumë të efektshme për të luftuar çdo manipulim dhe çdo spekulim me cilësinë e naftës së ofruar ndaj qytetarëve. Ne jemi të bindur se në fund të vitit do mund tu themi shqiptarëve se makina e tyre nuk është më e kërcënuar nga shkatërrimi i gjithë këtyre viteve për shkak të mungesës së cilësisë së karburanteve”.Ndërkohë Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, tha se laboratori do ti vlejë edhe vendeve të rajonit pasi është i pari me këto standarde në Ballkan. Nga ana tjetër Gjiknuri paralajmëroi se muaji shkurt do të jetë edhe afati i fundit për akreditimin e impianteve të përpunimit të hidrokarbureve.“Laboratori i Shqipërisë përkthehet në një laborator modern që i vlen edhe rajonit. Edhe për pjesën e impianteve që deri tani kanë operuar jashtë kuadrit ligjor, në shkurt mbaron afati i tyre. Kush do të funksionojë si impiant përpunimi hidrokarburesh ose duhet të liçensohet si i tillë, ndryshe do të mbyllet”.Drejtoresha e IQT, Ejana Xhixho, tha se laboratori me një investim prej 55 milion lekësh, ka hyrë në proçesin e akreditimit ndërkombëtar.