Ligji për Gjykatën e Lartë, mazhoranca rrëzon Nishanin tek “Ligjet”
Pa asnjë surprizë, shumica qeverisëse në Komisionin e Ligjeve ka rrëzuar dekretin e Presidentit Bujar Nishani që kthehu për rishqyrtim ligjin për Gjykatën e lartë.Por ajo që shkaktoi debate në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve ishte lidhja që opozita i bëri ligjit me reformën në drejtësi, ndërsa akuzoi mazhorancën se po shkel marrëveshjen e 24 dhjetorit mbi gjetjen e konsensusit dhe mospërdorimin e shumicës së cilësuar.Arben Ristani:"T'ia kalojmë tryezës së reformës në drejtësi sipas marrëveshjes. Në të kundërt, është qëndrimi i qartë se ju doni të prishni marrëveshjen e kthimit tonë në Parlament. Kërkojmë konsensus, siç kemi rënë dakord dhe të marrim mendim nga Komisioni i Venecias".Këtë qëndrim e kanë mbrojtur edhe opozitarët e tjerë, por ka qenë kryetari i Komisionit Fatmir Xhafaj ai që i ka dhënë fund diskutimit, duke deklaruar se jo çdo ligj që bëhet në parlament duhet të marrë pëlqimin e Komisionit të Venecias.Fatmir Xhafa:“Nuk është pjesë e reformës në drejtësi, absolutisht nuk ka të bëj për reformën në drejtësi. Kjo është një përpjekje pozitive për të zgjidhur një ngërç të krijuar në një marrëdhënie ndërmjet Kuvendit dhe institucionit të Presidentit në procesin e emërimit të kandidatëve për Gjykatën e Lartë me një qëllim për ta çbunkerizuar, për ta hapur, për ta bërë transparent këtë proces.Për të hequr subjektivitetin e gjykimit dhe të përzgjedhjes dhe për të vendosur meritën dhe objektivitetin në themel të këtij procesi. Për ta çpolitizuar, ashtu si kundër u citua edhe këtu, procesin e emërimeve dhe për ta çuar, për ti dhënë më shumë peshë, në këtë proces vetë sistemit të përfaqësuar përmes përfaqësuesve më të lartë të tij. Ky është qëllimi i kësaj ndërhyrjeje”.Partia Demokratike nuk është bërë ende pjesë e Komisionit për reformën në drejtësi pasi akuzon se mazhoranca po prek ligjet themelore me synim vënien e sistemit të drejtësisë nën kontroll.Një prej ligjeve të debatuara ka qene edhe ai për Gjykatën e Lartë të cilin Presidenti Nishani e ktheu si antikushtetues dhe në cënim të kompetencave të tij.