Kanali jeshil, Rama: Doganat nuk do jenë më pika pengmarrjeje
Bizneset shqiptare tashmë do të humbasin më pak kohë dhe para gjatë kontrollit doganor.Në Ditën Ndërkombëtare të Doganave, kryeministri Edi Rama bëri me dije se tashmë doganat do të kryejnë proçedura në kohë rekord.Doganat tashmë do të ofrojnë më shumë lehtësira për bizneset, duke i kontrolluar ato në mënyrë selektive ose nëpërmjet kanalit jeshil siç njihet në gjuhën teknike.Në ditën Ndërkombëtare të Doganave kryeministri Edi Rama deklaroi se në bazë të kodit të ri doganor pikat e hyrjes së mallrave do të transformohen nga pika torturash, në pika të një shërbimi në kohë rekord.“Ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm në funksion të vizionit tonë për ta transformuar marrëdhënien me biznesin në një marrëdhënie partneriteti, dhe nga ana tjetër për t’i transformuar të gjitha pikat e hyrjes dhe daljes së mallrave në Shqipëri, jo në pika torturash dhe pengmarrjeje, por në pika të një funksionimi të shpejtë dhe të efektshëm të shërbimit. 10 minuta për të mbaruar punë, pas një epoke ku në letra minimumi ishte 3 orë, por në realitet shkonte edhe në 3 ditë.”Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, u shpreh se pavarësisht mënyrës së kontrollit vëmendje do ti kushtohet zbatimit të ligjit.“Bashkërisht duhet të mirëkuptojmë njëri-tjetrin që të zbatojmë me rreptësi ligjin që është një kërkesë që medoemos e kërkon publiku dhe e kërkon koha. Ne duhet të jemi njëkohësisht evropianë por gjithashtu në zbatim të ligjit në luftën kundër korrupsionit”.Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave deklaroi se futja në zbatim e kodit të ri doganor do të sjell një sërë lehtësirash për biznesin.“Kanali Jeshil është një sistem i sofistikuar, një model selektiviteti i Analizës së Riskut i cili mundëson shmangien totale të kontrollit dokumentar dhe kontrollit fizik të mallrave. Në këtë mënyrë konsiderohet jo vetëm lehtësues përsa i përket praktikës doganore dhe shpërndarjes më të mirë të burimeve njerëzore nga ana e doganës, por konsiderohet edhe një sistem më i mirë kontrolli për bizneset”.