Qeveria e Kosovës nuk shkarkon Ministrin Jabllanoviç
Teksa Prishtina pritet të përfshihet nga protesta masive, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e kabinetit dënoi aktet barbare dhe të dhunshme të protestuesve.Në fjalën e tij, kryeministri Isa Mustafa u kërkoi organizatorëve të mbajnë përgjegjësi për të gjitha aktet vandale.“Qeveria e Republikës së Kosovës i konsideron të papranueshme dhe i dënon ashpër aktet vandale të disa protestuesve ndaj policisë, objekteve qeveritare, pronave private, përfaqësive diplomatike dhe mbi të gjitha dhunën fizike ndaj qytetarëve të Kosovës. Qeveria kërkon nga organizatorët e protestës të mbajnë përgjegjësi për aktet vandale”.Por çështja kryesore, ajo e shkarkimit të Ministrit të pakicave serbe Jabllanoviç kaloi me një fjalim të tij se me fjalën egërsira ndaj nënave gjakovare nuk ka dashur të fyejë askënd, duke mos pranuar të japë dorëheqjen, të cilën sipas burimeve të mediave kosovare ja ka kërkuar vetë Mustafa."Nuk kam pasur ndërmend të lëndoj askënd me deklaratat e mia, e aq më shumë nënat gjakovare. Unë jam shprehur vetëm për ata njerëz që kanë qenë atë ditë në Gjakovë dhe për të cilët kam kërkuar falje.Më vjen shumë keq që një deklaratë e tillë po shfrytëzohet për protesta dhe dhunë. Unë si anëtar i qeverisë jam munduar që gjatë tërë kësaj kohe këtë deklaratë ta sqaroj dhe njëkohësisht të përsëris se për asnjë moment nuk kam dashur të lëndoj qytetarët me atë deklaratë", tha Jabllanoviç.Ndërkohë teksa Albin Kurti numëroi orët e ultimatumit ndaj Kryeministrit për çëshjen Jabllanoviç dhe Trepça, bëri thirrje për pjesmarrje masive në orën 12:00.“Ky qëndrim i yni është, duke marrë parasysh që para pak minutash ka skaduar ultimatum, apo afati që ia kemi dhënë kryeministrit Mustafa, që deri sot, ditë e hënë, 26 janar, ora 16:00, ta bëj shkarkimin e Jabllanoviqit dhe sjelljen e Ligjit që Trepçën e bën ndërmarrje publike”, tha Albin Kurti.Ndërkaq me iniciativë të grupit parlamentar të AAK-së, deputetja Donika Kadaj Bujupi mblodhi nënshkrimet e deputetëve për një seancë të jashtëzakonshme brenda 24 orëve.Sipas mocionit, Kuvendi pritet t'i kërkojë kryeministrit Isa Mustafa që ta shkarkojë Ministrin serb dhe të proçedojë ligjin përmes të cilit Trepça shndërrohet në ndërmarrje publike.Protesta e radhës vjen pas asaj të së shtunës, ku situata degjeneroi në përleshje mes policisë dhe protestuesve.Në mbështjetje të saj janë edhe partisë opozitare aleanca për ardhmërinë e Kosovës, nisma për Kosovën, kurse shoqatat e dala nga lufta OVL-UÇK kanë vendosur të mos i bashkohen protestës së nesërme për shkak të dhunës të shtunën e kaluar.Bashkimi Europian dhe ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës të akredituar në Prishtinë theksojnë të drejtën e qytetarëve për të protestuar, por jo në mënyrë të dhunshme, duke e dënuar këtë të fundit.