Protesta në rrethe, qytetarët fikën makinat në rrugët e vendit
Për 5 minuta në orën 11:00, pothuajse të gjitha rrugët e vendit janë bllokuar, pasi drejtuesit e automjeteve kanë fikur makinat, duke iu bashkuar thirrjes së opozitës për të kundërshtuar çmimin e lartë të karburantit në Shqipëri.Qytetarët në Shkodër fikën për 5 minuta automjetet në orën 11:00, duke iu bashkuar protestës kundër çmimit të naftës.Mjetet u ndalën në kryqëzimin e Bushatit, në hyrje të Shkodrës, lagjen "Xhabije", në Parrucë, tek sheshi "Demokracia", përpara ish-degës së Brendshme, në lagjen "Rus", në kryqëzimin e "Dobracit" si dhe në "kryqëzimin e Rrethinave".Në Kukës u bllokua për 5 minuta Rruga e Kombit. Drejtuesit e automjeteve në vendin e quajtur "Ura e Drinit", në hyrje të qytetit të Kukësit fikën makinat në shenjë proteste kundër rritjes së çmimit të naftës duke iu bashkuar kështu protestës së organizuar nga Partia Demokratike.Në orën 11:00 lëvizja nga Lezha në drejtim të Shkodrës dhe Tiranës u bllokua pasi dhjetëra automjete u fikën tek rrethrrotullimi në hyrje të këtij qyteti në shenjë proteste ndaj çmimit të lartë të karburanteve. Fikja e makinave krijoi nje fluks mjetesh në të dy kahët e lëvizjes, ndërsa protesta u monitorua vetëm nga policia rrugore. Në protestë kundër çmimit të karburantit u bllokua dhe autostrada Fushë Krujë-Lezhë.Në Elbasan, drejtuesit e automjeteve u ndalën në rrugën e qendrës pranë sahatit, tek kryqëzimi i Cërrikut dhe pranë rrethrrotullimit Elbasan-Bradashesh.Policia debatoi me drejtuesit e mjeteve pas fikjes së tyre, duke u kërkuar të zhbllokojnë qarkullimin.Në Vlorë në protestën kundër çmimit të lartë të naftës u fikën makinat për reth 10 minuta në hyrje të autostradës, në rrugën Transballkanike dhe në bulevardin Vlorë-Skelë.Ora 11:00 në qytetin e Durrësit erdhi me bllokimin e autostradës Durrës-Tiranë për gati 10 minuta nga drejtuesit e automjeteve në protestë për çmimin e lartë të naftës.Makinat janë fikur dhe në rrugën e Shkozetit, të Plazhit dhe të Spitallës.Mjetet u ndalën për disa minuta edhe në qytetet e Fierit dhe Lushnjes. Në të dy qytetet drejtuesit e automjeteve i fikën, duke iu bashkuar protestës së opozitës kundër shtrenjtimit të karburantit.Automjetet për 5 minuta u fikën edhe në aksin Korçë-Pogradec. Të organizuar nga drejtues lokalë të PD, protesta u zhvillua dhe në bulevardin "Republika" në qendër të Korçës.Protestës kundër çmimit të lartë të karburantit iu bashkua edhe Berati, Gjirokastra, Saranda, Burreli e Peshkopia.