Bushati Berishës për “Xibrakën”: Akuzat ndaj meje, përbaltje e diplomacisë
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i është përgjigjur për herë të parë, akuzave të opozitës dhe veçanërisht ish-kryeministrit Sali Berisha, për lidhje të tij me anëtarët e grupit të trafikut të kokainës në Xibrakë.Bushati i cilësoi akuzat në adresë të tij si përbaltje të Ministrit të Jashtëm dhe shërbimit diplomatik.Bushati:“ Shpifje për mua dhe shërbimin e jashtëm e adresuar nga një person që shpifjen e ka kthyer në institucion. Kush është i interesuar për informacion të mëtejshmëm për kaq sa them unë, Ministria e Punëve të Jashtme, Departamenti i Komunikimit është në dispozicion jo thjesht të medias, por të çdo qytetari shqiptar në bazë të Kushtetutës dhe ligjit për të drejtën e informimit. Çdo gjë tjetër përtej kësaj do të ishte spekulim në rastin më të mirë dhe shpifje në rastin më të keq, përveç shpifësit që e ka kthyer shpifjen në institucion”.I pyetur nga Ora News nëse i ka kërkuar Kreut të Shtetit shkarkimin e Ambasadorit shqiptar në Romë, Neritan Ceka, kryediplomati as nuk mohoi dhe as konfirmoi kërkesën, por dha këtë përgjigje:Bushati: “Procesi i emërimit dhe lirimit nga detyra të çdo ambasadori të Republikës së Shqipërisë në një vend të botës është një proces që në thelb ka të bëjë me burimet njerëzore dhe me mënyrën se si i menaxhon burimet njerëzore administratori që, sipas Kushtetutës dhe sipas ligjit, është qeveria e Republikës së Shqipërisë. Në qoftë se keni kërshëri për të bërë një kronikë më të zgjeruar për kriteret, për qasjen në burimet njerëzore që ne aplikojmë, jo vetëm për rastin konkret por edhe për raste të tjera, Ministria e Punëve të Jashtme do të jetë në dispozicionin tuaj për t’ju njohur me praktikën, në mënyrë që ju ta konsultoni dhe të mos keni nevojë që praktikën ta konsultoni nëpërmjet të ashtuquajturit burim, që në fakt rastësisht i bie të jenë edhe gazetarë, bashkëshortet apo bashkëshortët e të cilëve punojnë në Presidencë”.