Kerri: Kemi shkatërruar celula të ISIS-it në Kosovë
Nga Londra, ku mori pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm të koalicionit kundër Shtetit Islamik, sekretari amerikan i shtetit, Xhon Kerri, tha se në valën e operacioneve kundër celulave terroriste në Europë, janë lokalizuar dhe shkatërruar të tilla edhe në Kosovë, përveç se në disa vende të tjera europiane dhe aziatike.I pyetur për veprimet konkrete që ka ndërmarrë koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, Kerri listoi arritjet e derintanishme."Qeliza me luftëtarë të huaj janë goditur në Austri, Malajzi, Kosovë… në vende të tjerë, luftëtarë të huaj janë ndjekur penalisht, si në Gjermani, Australi dhe në Mbretërinë e Bashkuar.Arabia Saudite ka lëshuar dekrete zyrtare për ta shpallur organizatë kriminale Shtetin Islamik dhe ka shkatërruar celula të tij të lidhura me Sirinë.Po shkatërrojmë kapacitetin e ISIS-it për rafinimin e naftës, që pengon financimin e tij nga tregtia e naftës. Ka shenja të qarta se nismat tonai kanë kufizuar operacionet e Shtetit Islamik".Kerri vuri gjithashtu në dukje se nga rreth 2000 sulmet ajrore të zhvilluara deri tani dhe veprimet në terren të forcave kurde dhe irakiane janë vrarë disa prej liderëve kryesorë të Shtetit Islamik, si dhe janë ndërprerë kanalet e shitjes së naftës dhe gazit natyror, që kanë goditur rëndë financat.Sipas Kerrit, kjo ka bërë që shumë prej luftëtarëve të grupimit të largohen, pasi nuk po paguhen fare ose jo aq sa duhet.Zyrtari amerikan shtoi gjithashtu në pranverë do të nisë edhe trajnimi i rebelëve të moderuar sirianë, në Turqi dhe Arabinë Saudite. Ndërsa i pyetur për mospjesëmarrjen e Anglisë në sulmet ajrore, Kerri tha se respekton vendimin e çdo shteti.22 vendet pjesëmarrëse në konferencë përveç Shtetetve të Bashkuara, Britanisë dhe Irakut ishin Australia, Bahreini, Belgjika, Kanadaja, Danimarka, Egjipti, Franca, Gjermania, Italia, Kuvajti, Holanda, Norvegjia, Katari, Arabia Saudite, Spanja, Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.