Obama: Kriza ekonomike mbaroi, tani të shkatërrojmë ISIS-in
Gjashtë vjet pasi mori detyrën si President i Shteteve të Bashkuara në mes të reçesionit të përmasave historike, Barac Obama deklaroi se Amerika ia ka dalë mbanë të kalojë periudhën e vështirë ekonomike, dhe kërkoi përkushtim më të madh nga republikanët për të ndihmuar në luftën ndaj terrorizmit, veçanërisht Shtetit Islamik.Në fjalimin e tij përballë Kongresit, të dominuar nga rivalët me të cilët ka luftuar për vite me radhë mbi drejtimin që duhet të marrë vendi, fjalimi i Obamës ngjau më tepër me një deklaratë fitoreje, pasi sipas tij ishin politikat e Shtëpisë së Bardhë që bënë të mundur rritjen e numrit të të punësuarve dhe uljen e çmimit të naftës."I bëj thirrje Kongresit që t'i tregojë botës se jemi të bashkuar në këtë mision, duke aprovuar rezolutën për autorizimin e përdorimit të forcës ndaj Shtetit Islamik në Irak dhe Siri. I bashkohemi dhe ne popujve anembanë botës që janë vënë në shënjestër të terroristëve, nga shkolla në Pakistan e deri në rrugët e Parisit. Do të vazhdojmë të shkatërojmë rrjetin e tyre".Por pavarësisht se kërkoi ndihmën e Kongresit, Obama e quajti pozitiv faktin që Shtetet e Bashkuara nuk u përfshinë në një tjetër luftë në terren, por po drejtojnë një koalicion të gjerë, ku marrin pjesë edhe disa vende arabe, për të shkatërruar Shtetin Islamik.I veçantë ishte edhe çasti kur kongresmenët ngrinin lapsat në shënje mbështetje të viktimave të masakrës së 7 janarit në redaksinë e revistës "Charlie Hebdo".Gjatë fjalimit një orësh, Obama tha se ndryshimet klimaterike përbënin kërcënim të madh për Shtetet e Bashkuara, po aq sa dhe terrorizmi.Gjithashtu ai i bëri thirrje Kongresit që të votonte sa më shpejt heqjen e embargos ndaj Kubës dhe autorizimin e tij për të nënshkruar marrëveshjet e përbashkëta tregtare, na vazhdim të nismës së ndërmarrë prej tij dhe homologut kuban, Raul Kastro, dhjetorin e kaluar.