Netanjahu u kërkon ndërkombëtarëve të dënojnë deklaratat e Erdogan

Ngjarjet e javës së kaluar në Paris, ku mbetën të vrarë 17 vetë në tre sulme të ndryshme kanë rindezur tensionet mes Izraelit dhe Turqisë.Pas akuzave të Presidentit turk, Rexhep Erdogan, ndaj Perëndimit se nuk dënonte islamofobinë dhe se kishte ftuar në marshimin e paqes në Paris vrasësin e fëmijëve, siç e quajti ai, Kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu, ky i fundit është kundërpërgjigjur po aq ashpër."Nuk kam dëgjuar ende ndonjë udhëheqës botëror të dënojë komentet e Erdoganit. Ai tha se Izraeli nuk duhet të përfaqësohej në marshimin e Parisit, sepse ne kemi mbrojtur qytetarët tanë ndaj mijëra raketave të lëshuara nga terroristët e Hamasit. Besoj se këto deklarata duhen dënuar nga komuniteti ndërkombëtar".Marrëdhëniet mes Izraelit dhe Turqisë janë përkeqësuar ndjeshëm në pesë vitet e fundit, që kur ushtria izraelite sulmoi një anije turke që po udhëtonte drejt Gazas edhe pse në territorin e mbajtur nën kontroll nga Hamasi, Izraeli kishte vendosur bllokadë.Akuza të ndërsjellta janë shkëmbyer edhe në nivel më të ulët pushtetarësh. Ndërkohë që Ministri i jashtëm izraelit, Avigdor Liberman e ka cilësuar Erdoganin si antisemit, kryetari i bashkisë së Ankarasë, Melih Gëkçek ka akuzuar se sulmet e javës së kaluar në Paris janë inskenuar nga shërbimi secret izraelit, Mosad, si rezultat i mbështetjes së Francës për njohjen e shtetit të Palestinës.