Arrestohet pas një viti arrati terroristi grek, Kristodulos Ksiros
Policia greke ka arrestuar të shtunën një pjestar të grupimit guerrilas marksist "17 Nëntori", pasi ishte në arrati prej pothuajse një vit.Sipas policisë greke, Kristodulos Ksiros, 56-vjeç, i cili në kohën e arratisjes po vuante disa dënime me burgim të përjetshëm për rolin e tij në grupimin më të egër guerrilas në Greqi, u kap në Anavisos, një qytezë bregdetare fare pranë Athinës.Në vitin 2013, atij iu dha leje për Krishtlindje por pasi doli nga burgu nuk u kthye më. Policia greke kishte kohë që kryente kërkime në gjithë vendin për ta gjetur, ndërsa edhe qeveria u kritikua së tepërmi që e kishte lënë të dilte nga burgu, qoftë edhe me leje.Policia kishte ofruar madje edhe 1 milionë euro shpërblim për ata që ndihmonin në kapjen e tij.Pasi ishte arratisur, Ksiros kishte publikuar edhe një video, ku zotohej se do të hakmerrej ndaj shtetit për dëmin që i kishte shkaktuar popullit grek gjatë pranimit të kushteve të Bashkimit Europian për shmangien e falimentimit të shtetit."Nuk kemi kohë për të humbur. Njerëzit nuk do të vijnë të na kërkojnë nëpër zyra, por duhet të dalim ne në rrugë. Është detyra jonë të ndezim shkëndijën. Shokë lufte, të lirë dhe të burgosur, duhet ta kuptojmë të gjithë që kjo është koha jonë", shprehet Ksiros në viedon e publikuar janarin e vitit të kaluar.Ksiros dhe disa pjestarë të tjerë të organizatës "17 Nëntori" u arrestuan në vitin 2002 dhe u dënuan për 23 vrasje dhe dhjetra sulme me bomba që kishin përhapur panik në gjithë Greqinë për potghuajse tre dekada. Gjatë veprimtarisë së tij, grupi ka ekzekutuar edhe diplomat grekë, amerikanë dhe britanike.Por pavarësisht shpërbërjes së "17 Nëntorit", telashet e Greqisë me terroristët e majtë nuk janë ndalur.Vitet e fundit, disa grupime të ekstremit të majtë dhe anarkiste kanë pranuar përgjegjësinë për disa sulme të vogla me bomba kundër policisë, politikanëve dhe biznesmenëve të ndryshëm, si kundërpërgjigje ndaj masave shtrënguese që qeveria e Athinës është detyruar të marrë për të dalë nga kriza ekonomike.
