MB:Zela u arrestua për vjedhje energjie, opozita të mos bëjë kukuvajkën

Ministria e Punëve të Brendshme duke shprehur keqardhjen për humbjen tragjike të jetës së 52-vjeçarit, Qamil Zela, në burgun e Rrogozhinës sqaron opinionin publik se Policia e Shtetit nuk ka arrestuar asnjë person për detyrime të papaguara ndaj OSHEE, por vetëm për vjedhje të energjisë përmes lidhjeve apo rilidhjeve të paligjshme.MB rithekson se asnjë shtetas nuk i nënshtrohet procedimit penal si debitor, por vetëm shtetasit që vjedhin energjinë elektrike, duke konsumuar veprat penale të parashikuara nga Kodi Penal.Në vijim të deklaratës, Ministria bën me dije se shtetasi,Qamil Zela, banues në Lushnje është arrestuar në datë 28.10.2014 nga policia e Lushnjes, pasi është kapur me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.Gjatë kontrollit të ushtruar nga grupet e përbashkëta të OSHEE dhe Policisë së Shtetit ka rezultuar se shtetasi Qamil Zeka furnizonte me energji elektrike dy biznese në pronësi të tij (një Fast Food dhe një sallë interneti), pa matësa të energjisë, por duke i lidhur me banesën e tij me kontratë familjare. Të dy dyqanet u gjetën të hapura dhe në gjendje pune dhe të papajisura me matësa energjie.Materialet në ngarkim të shtetasit Qamil Zela i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të rrethit gjyqësor Lushnje për veprën penale “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”.Për këtë vepër penale, me datë 30.10.2014 Gjykata e rrethit gjyqësor Lushnje e ka vlerësuar si të ligjshëm arrestimin në flagrancë të shtetasit Qamil Zela dhe ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”.Në përfundim të deklaratës, Ministria e Punëve të Brendshme siguron se Policia e Shtetit do të vijojë të zbatojë vetëm ligjin pa shkelur asnjë të drejtë themelore të shtetasve dhe nga ana tjetër fton opozitën të mos bëjë politikë kukuvajkash me ngjarjet e ditës.“Përkrahja e paligjshmërisë nuk është rruga për përfitim politik”thekson MB.

Procesverbal i arrestimit në flagrancë

Vendimi i Gjykatës për masën e sigurisë