Bashkia asistencë për gratë sipërmarrëse, Xhindi: Rama bllokoi punësimin
Ashtu siç kishte premtuar, kryebashkiaku Basha rreth një muaj më parë, pranë Drejtorisë së Tatim-Taksave nga sot do të funksionojë një sportel dedikuar sipërmarrëseve gra.Në këtë sportel do u ofrohet asistencë ligjore, këshillim dhe ndihmë grave sipërmarrëse dhe atyre që duan të hapin një biznes të ri në Bashkinë e Tiranës.Nënkryetarja e Bashkisë,Nevila Xhindi, tha se zhvillimi ekonomik dhe punësimi mbeten objektiv i Bashkisë së Tiranës.“Në fund të tetorit, në një tavolinë të rrumbullakët që ne kishim për “Gratë në sipërmarrje dhe pushteti vendor”, kryetari i Bashkisë z. Basha bëri një premtim për hapjen e një sporteli dedikuar sipërmarrjes femërore dhe sot ja ku e kemi. Bashkia e Tiranës ka bërë përpjekje të vazhdueshme në këto tri vite. Janë hapur rreth 25 mijë vende pune por fatkeqësisht kemi një bllokim politik të investimeve të Bashkisë, investimeve strategjike të Bashkisë dhe 5000 vende të tjera pune nuk janë të hapura.Unë jam e bindur se partneriteti publik-privat duhet të ecë përpara, sigurisht në bashkëpunim me shoqërinë civile. Unë jam shumë e kënaqur që sot kemi realizuar një dëshirë, një kërkesë të ardhur nga shoqata kombëtare e grave afariste, e bërë realitet për Bashkinë e Tiranës, sot kemi një sportel. Mendoj se ky është një hap i mirë, jo vetëm për Bashkinë e Tiranës por për të gjithë bashkitë e tjera”.Xhindi tha më tej se si pasojë e politikave nxitëse dhe lehtësuese të Bashkisë për biznesin, në afro 3 vjet është mundësuar hapja e mbi 25 mijë vendeve të reja pune dhe mbi 5 mijë mbeten të bllokuara nga bllokimi që sipas saj Kryeministri i ka bërë investimeve strategjike në qytetin e Tiranës.