Putin: Perëndimi po ringre Murin e Berlinit. Merkel: S'heqim sanksionet

Perëndimi po ringre Murin e Berlinit! Kjo është akuza që presidenti rus, Vladimir Putin, i bëri vendeve të NATO-s, në konferencën maratonë për shtyp me mbi 1 000 gazetarë në Moskë.Sipas tij, Rusia i del në mbrojtje vetëm interesave të saj, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës krijojnë rreziqe, duke ngritur baza ushtarake në të gjithë botën.Gjithsesi Presidenti shprehu besimin se kriza mes vendit të tij dhe Perëndimit duhet të zgjidhet dhe gjtihashtu shprehu dëshirën e tij për unitetin shtetëror të Ukrainës."A nuk na thanë ata se pas rënies së Murit të Berlinit nuk do të kishte zgjerim të NATO-s drejt lindjes? Por menjëherë pas ra muri ata nisën këtë proçes, me dy valë zgjerimi. Sigurisht që nuk kanë ngritur një mur fizik, por kanë nisur ta krijojnë. Nuk ju duken mur sistemet e raketave të vendosura ngjitur me kufijtë tanë?Autoritetet e Kievit po përpiqen që ta zgjidhin çështjen me dhunë, duke dërguar forcat e armatosura në lindje të vendit, por unë shpresoj që të mund të gjejmë një zgjidhje përmes dialogut. Nuk ka rrugë tjetër përveç paqes"tha ai.Në konferencën që zakonisht dihet paraprakisht se çfarë pyetjesh do t'i bëhen Presidentit, kriza e Ukrainës, por edhe gjendja e rënduar ekonomike në vend kanë bërë që këtë vit gjërat të shkojnë ndryshe.Një ditë më parë, rubla pësoi luhatje të shumta duke e mbyllur ditën në raportin 60 me 1 kundrejt dollarit amerikan.Të martën ajo kishte rënë në rekordin e vet historik, 80 me 1 kundrejt dollarit, ndërkohë që në fillim të vitit gëzonte një pozitë të mirë në raportin 34 me 1.Në lidhje me problemet ekonomike, Putin deklaroi se pavarësisht përpjekjeve të shtetit dhe Bankës Qendrore, ato mund të zgjasin edhe për dy vjet, pavarësisht se është i bindur që rubla ruse do të ringrihet."Sigurisht që situata është krijuar edhe për shkak të faktorëve të jashtëm, por duhet të kuptoni se në 20 vitet e fundit nuk i kemi realizuar të gjitha planet tona për të diversifikuar ekonominë. Nuk ka dyshim që rubla do të rritet, ekonomia jonë do të dalë nga gjendje që ndodhet në rastin më të keq brenda dy vitesh. Por mund të ndodhë edhe më shpejt".Në fund, Putini u premtoi rusëve se pavarësisht problemeve ekonomike, ai nuk do të kursehej në shpenzimet për organizimin e Kupës së Botës 2018.Kjo pasi sipas tij, në këtë mënyrë do të zhvillohej infrastruktura sportive në dhjetra qytete dhe njerëzit nuk do të mbanin më radhën për të pirë vodka me miqtë, por për të kryer aktivitete sportive.Merkel-Putinit: Nuk i heqim sanksionet!Ndërkohë që Presidenti rus, Vladimir Putin, po mbante konferencën maratonë për shtyp, Kancelarja gjermane, Angela Merkel, i bëri të qartë edhe një herë se sanksionet do të jenë të domosdoshme deri kur Rusia të respektojë sovranitetin e Ukrainës dhe të nisë dialogun.Para fillimit të samitit dyditor të BE-së, Merkel mbajti një fjalim në Bundestagun gjerman."Sëbashku duam që të përballemi me sfidat e sigurisë ndërkombëtare, të cilat janë të shumta. Por këtë rrugë nuk mund ta përshkruajmë të vetëm. I takon Rusisë që të pranojë ofertën tonë për dialog bazuar në vlerat e paqes së përhershme në Europë. E përderisa ky objektiv nuk është arritur, sanksionet do të qendrojnë në fuqi. Por dua të theksoj se ato nuk janë dhe nuk kanë qenë kurrë mjet shantazhi nga ana jonë".Në samitin e BE-së, 28 krerët e vendeve të bllokut pritet që të diskutojnë mbi masat ndaluese për investimet në Krime që kanë si synim të dobësojnë kërkimet e Rusisë për naftë dhe gaz natyror në Detin e Zi.Merkel gjithashtu siguroi parlamentarët gjermanë se kriza ekonomike në Eurozonë është nën kontroll, por gjithsesi duhet bërë më tepër punë, me zgjidhje afatgjata.