Ukraina, takim me Rusinë dhe OSBE-në të dielën në Minsk

Një raund i ri bisedimesh mes Rusisë, Ukrainës dhe OSBE-së mund të mbahet këtë të dielë në Minsk.Lajmin e dha presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, në një konferencë për shtyp nga Varshava."Ka shpresa se të dielën do të mbahet një takim trepalësh në Minsk", u shpreh Poroshenko. Në Varshavë, presidenti ukrainas u takua me homologun polak, Bronislav Komorovski, i cili u zotua se vendi i tij do ta ndihmojë Ukrainën me armë, nëse konflikti me Rusinë do të vazhdojë.Ukraina, ndërkaq gjendet në vështirësi financiare dhe me shumë mundësi nuk do të ketë mbështetjen e pritur nga Bashkimi Europian.Presidenti i Komisionit Europian, Zhan Klod Junker, tha të mërkurën në mbledhjen e Parlamentit Europian në Strasburg, se Fondi Monetar Ndërkombëtar ka dalë në përfundimin që Ukrainës i duhet një tejtër financim prej 15 miliardë eurosh për të dalë nga kriza ekonomike. Por BE është mjaft e kufizuar në mundësitë për të ndihmuar."Ukraina do të ketë nevojë për më tepër ndihmë, por Bashkimi Europian mund të ndihmojë vetëm me para nga buxheti i saj, që është kufizuar mjaft së fundmi", u shpreh Junker.Vetëm në muajt e fundit, Bashkimi Europian i ka akorduar Ukrainës 760 milionë euro në formë huashë afatgjata, që i janë shtuar 600 milionëve të akorduar gjatë verës./Oranews.tv/