Qeveria e Kosovës përshëndet thirrjen e BE-së për nënshkrimin e MSA-së

Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes një njoftimi për media, ka përshëndetur thirrjen e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian që Komisioni Evropian të paraqesë sa më shpejt që të jetë e mundur propozimin për nënshkrimin e Marrëveshjes Stabilizim Asociim, si një hap tejet i rëndësishëm përpara.Kjo, sipas Qeverisë, është vlerësim i përpjekjeve të deritanishme, dhe rikonfirmon përkushtimin e BE-së që kjo marrëveshje e parë kontraktuale mes BE-së dhe Kosovës të nënshkruhet dhe të hyj në fuqi së shpejti.“Jemi të inkurajuar që Këshilli ka mirëpritur progresin e bërë deri më tani në procesin e Liberalizimit të Vizave. Kosova ka vazhduar të merret me të gjitha kërkesat e dialogut të Liberalizimit të Vizave dhe do të dyfishojë përpjekjet tani kur ka arritur pjesa përfundimtare. Kompletimi i këtij procesi do të lejoj që qytetarët e Kosovës më në fund ti bashkohen fqinjëve të tyre në mundësinë për të udhëtuar pa viza në vendet e BE-së, sa më shpejt që të jetë e mundur. Kosova do të angazhohet që të zvogëlojnë rreziqet nga migrimi i parregullt, tani dhe pas liberalizimit të vizave. Në këtë drejtim, bashkëpunimi rajonal është i rëndësisë kyçe”, thuhet në njoftimin për media.Qeveria, shpreh lumturinë e saj që Këshilli ka mirëpritur përfshirjen e Kosovës në Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Jug-Lindore.Në këtë frymë, Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e BE-së drejt përfshirjes së Kosovës në të gjitha nismat dhe forumet ekzistuese për bashkëpunim rajonal.“Qeveria më tej riafirmon përkushtimin për zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me të gjitha vendet e rajonit dhe në këtë drejtim do të luajë rol aktiv në dialogun e lehtësuar nga BE për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ky proces ka nevojë për një rezultat të qartë që do të siguroj normalizimin e plotë të marrëdhënieve në formën e një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme duke i lejuar dy shteteve të ndjekin rrugën e tyre drejt pa lënë mundësi të bllokadave për anëtarësimin në BE në të ardhmen”, thuhet më tutje në njoftim.Në këtë njoftim thuhet se Institucionet e Republikës së Kosovës do të përfundojnë hapat e nevojshme të mbetura që do të krijojnë kushtet për themelimin e Gjykatës së speciale në bazë të kërkesës së Task Forcës Hulumtuese Speciale.“Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të punojnë me EULEX-in me qëllim të përmbushjes me sukses të mandatit të këtij misioni. Kosova do të fokusohet në ngritjen e mëtejshme të kapaciteteve që do të çojnë në reforma të qëndrueshme në fushën e sundimit të ligjit, duke mirëpritur mbështetjen dhe asistencën financiare të BE-së, drejtuar për këtë qëllim”, thuhet më tutje në njoftim.Në njoftim po ashtu thuhet se Qeveria e Republikës së Kosovës pajtohet plotësisht me konkluzionet që fushat prioritare për reforma janë sundimi i ligjit, qeverisja ekonomike dhe reforma e administratës publike.“Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj reformave në këto fusha që janë të dizajnuara që të sjellin vendin më afër anëtarësimit në BE, dhe njëherësh u bën thirrje shteteve anëtare dhe institucioneve të BE-së që t’i ofrojnë Kosovës të gjitha instrumenteve në dispozicion për të adresuar çështjet prioritare sa shpejt të jetë e mundur”, thuhet në njoftim.