Qeveria gati të hapë dosjet, por pa lustracionin e kërkuar nga Shoqëria Civile
Qeveria ka nisur konsultimet për ligjin për hapjen e dosjeve. Ministri Erion Veliaj theksoi se do të ndiqet modeli gjerman dhe se procesi do të jetë larg ndikimeve politike. Projekti i qeverisë ndryshon nga ai i shoqërisë civile që kërkon edhe lustracion.“Ndërkohë që nuk kemi asnjë recetë të gatshme, Qeveria është tashmë e vendosur të përfitojë nga eksperienca më e mirë evropiane në këtë fushë, ajo e Republikës Federale Gjermane, në trajtimin e kësaj çështje në tërësinë e saj. Jam i gëzuar që ndjekja e këtij modeli është tashmë një qëndrim që ndahet nga përfaqësues të tjerë të shoqërisë civile dhe drejtuesve politikë në vend”, tha Veliaj.Përfaqësues diplomatik i Berlinit në vendin tonë Helmut Hoffman theksoi se megjithëse synojnë të ndjekin modelin gjerman, shqiptarët duhet ta bëjnë vetë procesin pa asnjë ndërhyrje. Ai shpreh dhe hapi për qëndrimet dhe debatin që hapi një ekspozitë si Bunk’art.“Nuk e imagjinoj dot sesi njerëzit këtë mund të kenë intepretuar të gjithë fjalimin dhe evenimentin e hapjes së “Bunk Art” si një përpjekje për të reabilituar regjimin e Enver Hoxhës. Duhet të ketë një kuptim krejt të ndryshëm intelektual të asaj çka pamë, çka dëgjuam. Unë kam qenë tre herë në këtë lloj ekspozite por ka qenë fillesë e mbarë si fjalim si ekspozitë dhe është pozitiv.Gjithkush duhet të jetë i vetëdishjëm se ky është proces i vështirë por mendoj se është i shëndetshëm për tu angazhuar me të.”Ambasadori i OSBE Florian Rauning i ka kërkuar politikës të qëndrojë larg procesit të hapjen e dosjeve një proces që cilësohet tejet i vështirë dhe që mund të ketë 5 sfida, njëra prej tyre është ai i rrezikut të dështimit nëse nuk është një projekt kombëtar.”Duke ndjekur çfarë u tha sot në këtë tavolinë, unë shikoj pesë sfida të mëdha për të zbatuar këtë proces.Së pari, do të hapen plagë, patjetër.Së dyti, ka shumë rrezik obstruksioni të fortë nga anët e ndryshme.Së treti, unë po shikoj rrezikun që i gjithë projekti të thithet nga politika e përditshme, prandaj më pëlqeu shumë çka tha zoti Braho që politika duhet të ngelë jashtë, sidomos politika e përditshme.Së katërti, do të dalë vetëm një pjesë e së vërtetës, sepse shumë nga këto dosje, me siguri, nuk ekzistojnë më. Siç e ka thënë zëvendësministri, qarku i Tiranës mungon. Ndoshta dosjet më të rëndësishme, më të plotësuara, mungojnë.Së pesti, dhe më pëlqeu shumë çka ka thënë parafolësi, ka një rrezik dështimi nëse nuk është një projekt kombëtar.”Ndërsa kreu i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho kërkoi ngritjen e një komisioni të posaçëm“Unë do propozoj që drejtimin dhe monitorimin ta marrë shoqëria civile e jo politika. “Çështja e hapjes së dosjeve është ricikluar herë pas herë në 24 vitet e pluralizmit në Shqipëri, por mbetemi vendi i fundit ish-komunist që nuk e ka kryer një proces të tillë./Oranews.tv/