Greqia sërish në grevë për masat e kursimit

Punëtorët grekë do të ndërpresin sot punën, për herë të dytë brenda tre javësh, në shenjë proteste ndaj masës së re të shkurtimeve të pagave dhe pensioneve.E zhytur në rënien më të keqe ekonomike që nga Lufta e Dytë Botërore, Greqia po përgatit shkurtime në vlerë prej 11.5 miliardë eurosh për të kënaqur “Trojkën”, Komisionin Evropian, Bankën Qendrore Evropiane dhe FMN-në- dhe të sigurojë këstin e ardhshëm të pakos së shpëtimit në vlerë prej 130-miliardë eurosh.Shumica e bizneseve dhe sektori publik pritet t`i bashkohet grevës 24 orëshe.Anijet do të qëndrojnë në port, transporti publik i Athinës do të ndërpritet dhe spitalet do të punojnë vetëm në rastet e emergjencës, ndërsa zyrat publike, ministritë përfshirë edhe furrat e bukës do të mbyllen.