Sheshel fut në sherr Hagën, debate me Prokurorit dhe gjykatësve që e liruan

Lirimi i përkohshëm i Vojislav Shesheljit nga Gjykata e Hagës ka hapur debate mes Prokurorit të çështjes dhe gjykatësve që aprovuan vendimin.Prokurori Serzh Bramertz i kërkoi shpjegime gjykatësve se pse lanë të lirë një personazh që menjëherë pas rikthimit në Serbi, ka bërë komente ofenduese dhe poshtëruese për viktimat e luftës në ish-Jugosllavi."Veprimet e tij e bënë të detyrueshme nga ana jonë që të kërkonim rikthimin e menjëherëshëm të Shesheljit në Hagë. Retorikat e tij 20-vjeçare na kujtojnë edhe një herë sa e brishtë është paqja në rajon", tha Bramertz.Por Presidenti i Gjykatës së Hagës, Teodor Meron, u justifikua edhe një herë me faktin se vendimi ishte marrë duke parë gjendjen shëndetësore të Shesheljit, i cili vuan nga kanceri në shtyllën kurrizore dhe në mëlçi."Për shkak të moshës së të burgosurve tanë, problemet e lidhura me shëndetin e tyre janë gjithmonë të pranishme dhe shpesh qendrimi i tyre bëhet çështje e të drejtave të njeriut", u shpreh Meron.Që prej mbërritjes në Beograd më 12 nëntor, Sheshelj e bëri të qartë se nuk kishte ndërmend të rikthehej vullnetarisht në Hagë dhe para një turme prej 5000 adhuruesish në aeroport nuk vonoi të përsëriste thirrjet raciste dhe ekstremiste,duke trumpetuar ideologjinë e Serbisë së Madhe, që në fakt ishte edhe nxitëse e luftrave në Ballkanin Perëndimor në fillim të viteve 1990.