Debitorët pagesë me këste, Gjiknuri: 80% ulje kamatvonesave deri në 1 mars
Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, prezantoi skemën për shlyerjen me këste të energjisë elektrike për konsumatorët debitorë. Por Ministri nënvizoi se skema do të aplikohet vetëm për familjarët dhe jo për bizneset.“Skema konsiston në një variant pagese me këste, një këst prej 2500 lekësh të reja për të gjithë ata që kanë grumbulluar debi mbi faturën aktuale dhe kjo është një ofertë që konsumatorët duhet ta kenë. Kujdo që i janë ndërprerë dritat për këtë arsye mund të shkojë pranë zyrave të shërbimit të klientit të pranojë pagesën me këste për debinë e akumuluar dhe patjetër që energjia do të lidhet. Ndërkaq edhe për familjet në nevojë, apo në gjendje të varfër do të ketë një këst prej 1000 lekësh mbi faturën koherente, pra që edhe ata mund të bëjnë marrëveshje lidhur me pagesën pjesore”.Por lehtësira do të ketë edhe për kamatvonesat. Ministri Gjiknuri sqaroi se ata që paguajnë menjëherë detyrimin ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë do të përfitojnë një ulje prej 80% të kamatvonesave.“Është krijuar një mundësi tjetër që për personat që kanë akumuluar debi të mëdha. Deri në datën 1 mars ekziston mundësia që nëqoftëse do të paguajnë të gjithë shumën e debisë do ti zbritet 80% e kamatës.Është një mundësi shumë e mirë deri në 1 mars kushdo që ka grumbulluar, ndryshe kjo mundësi nuk do të ekzistojë më” tha Ministri.Ministri i Energjisë prezantoi skemën e miratuar nga Këshilli mbikqyrës, gjatë aksionit në terren ku shoqërohej nga kreu i ri i Operatorit të shpërndarjes së Energjisë, Ardian Çela.Ja skema e pagesës me këste 1.Të gjithë konsumatorëve familjarë, të cilët rezultojnë debitorë për detyrimet e energjisë (principal dhe kamatë vonesë), u krijohet mundësia e ekzekutimit me këste të këtij detyrimi.2.Nga momenti i nënshkrimit të marrëveshjes për pagesën me këste të detyrimeve, Shoqëria nuk do të llogarisë më kamatë vonesa për periudhën kohore që parashikohet në marrëveshje për ekzekutimin e plotë të detyrimit.3.Shoqëria do të marrë masa që të përcaktojë si kusht në marrëveshje detyrimin e konsumatorëve familjarë, që brenda afateve kontraktore të shlyejnë faturën korrente të energjisë dhe një vlerë përkatëse që i korrespondon një pjese të detyrimit të prapambetur. Vlera e këstit mujor për ekzekutimin e detyrimit të prapambetur, negociohet rast pas rasti nga shoqëria, por në çdo rast, nuk mund të jetë më e vogël se 2,500 lekë në muaj.4.Përjashtimisht, për familjet e kategorizuara në sistemin e ndihmës ekonomike, vlera e këstit mujor për ekzekutimin e detyrimit të prapambetur, negociohet rast pas rasti nga shoqëria por në çdo rast, nuk mund të jetë më e vogël se 1,000 lekë në muaj.5.Për konsumatorët familjarë, që kanë detyrime të prapambetura të energjisë elektrike, të cilët bien dakord të shlyejnë menjëherë të gjithë detyrimin e prapambetur (principal +kamatë vonesë), Shoqëria OSHEE sh.a do të aplikojë një zbritje të vlerës së detyrimit të kamatë vonesave në nivelin prej 80%. Ky kriter do të aplikohet edhe në rastet kur detyrimi i prapambetur përfaqësohet vetëm nga kamatëvonesa. Kjo mundësi pagese do të jetë e vlefshme deri në datën 1 Mars 2015.6.Kushtet e mësipërme nuk do të aplikohen nëse konsumatorët familjarë, nuk respektojnë detyrimet sipas marrëveshjes së nënshkruar me Shoqërinë OSHEE sh.a. Në këtë rast, ndaj këtyre konsumatorëve do të aplikohen detyrimet e parashikuara në kontratën e furnizimit, përfshirë edhe përllogaritjen e kamatë vonesës.