Drafti për Dosjet në Kuvend, Paloka: S’mund të hapen nga hartuesit
Deputetët Mesila Doda dhe Shpëtim Idrizi dorëzuan zyrtarisht sot në Kuvend nismën për hapjen e dosjeve. Ata kërkuan që nisma të mbështetet nga deputetët e dy krahëve, ndërsa u shprehën se do ta mbrojnë draftin.“E vërteta na bën mirë të gjithëve dhe besoj se ne do të shkojmë në Europë pa pengjet e së kaluarës. Është një nismë që nuk i drejtohet ndonjë partie politike, por i drejtohet gjithë ndërgjegjes politike, morale të klasës politike shqiptare dhe mbi të gjitha parlamentarëve shqiptarë në mënyrë që të tregohen dinjitozë” u shpreh Idrizi.Nga ana tjetër deputetja demokrate, Mesila Doda, tha se ky është një proçes që nuk ka kthim pas, duke garantuar se do ta mbrojë ligjin në Kuvend edhe në rast të një refuzimi nga grupi parlamentar i partisë së saj.“Shpresojmë që politika do të bashkohet me këtë akt ligjor që është tejet i rëndësishëm për historinë e Shqipërisë dhe shtetit shqiptar. Sigurisht që ne kemi firmosur në cilësinë e deputetëve të cilët e mbështesin këtë nisëm dhe do jemi për ta mbrojtur patjetër. U kërkoj të gjithë kolegëve të mi të PD, por dhe të gjithë partive të tjera të jenë të pranishëm për ta mbështetur këtë nismë ligjore. Është një proçes që nuk do të ketë kthim pas dhe nuk mund të tërhiqemi për asnjë arsye. Unë do ta mbroj patjetër ligjin”tha ajo.I menjëhershëm ka qenë reagimi i grupit parlamentar të PD-së. Përmes kreut të saj Edi Paloka, PD shprehet se ka mbështetur dhe mbështet me forcë transparencën ligjore dhe institucionale për krimet e komunizmit dhe përgjegjësitë për këto krime, në bazë të rezolutave të Këshillit të Europës dhe praktikave më të mira Europiane.Por sipas demokratëve, kjo nuk mund të arrihet as nga duart e pista të ish-persekutorëve të regjimit sot në qeveri dhe as me duar të tjera të përdorura për qëllimet e tyre.“Dyshja Rama-Meta katër vjet më parë kundërshtoi me forcë Ligjin për Lustracionin të propozuar dhe të miratuar nga Partia Demokratike.Dyshja Rama - Meta ka risjellë sot në pushtet dhe pozicione drejtuese kuadro të larta të ish Sigurimit të Shtetit. Kjo është arsyeja se pse as transparenca ligjore dhe institucionale dhe as hapja e dosjeve nuk mund të bëhen nga kjo dyshe.Edi Rama nuk ka asnjë interes dhe asnjë mundësi të bëjë transparencë të besueshme. Nuk mund të hapin dosjet vetë hartuesit e tyre që sot janë rikthyer në pushtet me Edi Ramën dhe Ilir Metën. Kjo cështje është aktivizuar javët e fundit nga Edi Rama dhe marionetat e tij politike dhe mediatike për të zhurmuar të gjithë problematikën e keq-qeverisjes. Për të larguar vëmendjen e opinionit publik nga braktisja e pashembullt e premtimeve elektorale dhe futja e vendit në krizë ekonomike.Nga skandalet e përditshme të qeverisjes dhe perspektiva akoma më e errët për vendin me rritjen e taksave dhe buxhetin klientelist. Nga kriminalizimi i qeverisjes dhe i parlamentit.Partia Demokratike është e vendosur që së bashku me përfaqësuesit legjitimë të ish të përndjekurve politikë të jetë në ballë të përpjekjes për zbardhjen e krimeve të komunizmit dhe përgjegjësive për këto krime” thuhet në deklaratë.