Pilotët e Lufthansas sërish në grevë, anullohen mbi 1000 fluturime
Pasagjerët e kompanisë gjermane të fluturimit “Lufthansa”, u përballën me anullime dhe vonesa fluturimesh të hënën pasi një sindikatë pilotësh nisi ditën e parë të grevës dyditore.Sindikata njoftoi për mbajtjen e grevës pasi nuk arriti të gjente një marrëveshje me kompaninë për çështjet e daljes së parakohëshme në pension të pilotëve.Kjo solli në anullimin e më shumë se 1000 fluturimeve, duke paralizuar mijëra udhëtarë, të cilët u shprehën të irrituar për këtë fakt.Këtë vit, transporti i udhëtarëve është penguar edhe nga greva e makinistëve të trenave, të cilët u bënë pengesë edhe për shumë gjermanë që donin të vizitonin kryeqytetin për 25-vjetorin e shembjes së Murit të Berlinit.Sipas një liste të publikuar në faqen e internetit të “Lufthansas”, më shumë se 1000 fluturime janë anulluar, shumë prej tyre të hënën dhe të martën, por edhe disa fluturime të së mërkurës dhe të së enjtes nuk do të kryhyen. Të martën do të zhvillojnë grevë edhe pilotët e avionëve të mallrave.Kompania bëri të ditur se kjo grevë ishte tërësisht e papërshtatshme dhe i bëri thirrje pilotëve që të rinisnin bisedimet. Ajo konfirmoi se ka bërë disa lëshime gjatë bisedimeve të fundit, duke pranuar të rrisë me 5% rrogat e tyre, por konfirmoi se nuk ka ndërmend të pranojë propozimin që pilotët e rinj dhe ata ekzistues të dalin në pension të parakohshëm, në moshën 55-vjeçare.Sidoqoftë, tetë grevat e zhvilluara këtë vit kanë shkaktuar pasoja të mëdha financiare për kompaninë, që deri më tani ka humbur 160 milionë dhe gjendet nën presion të madh nga rritja e konkurencës dhe kriza globale ekonomike.Për këtë arsye, për të dytën herë këtë vit, “Lufthansa” ka ulur parashikimin e të ardhurave për vitin e ardhshëm dhe po përpiqet të zhvillojë oferta fluturimesh me kosto të ulët.