Meta: Moszhvillimi ekonomik i rajonit, do zgjojë problemet etnike

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, mori pjesë në Konferencën Rajonale “Integrimi rajonal i Ballkanit perëndimor, një shtytëse për rritje ekonomike dhe stabilitetin”.Në fjalën e tij përshëndetëse për të pranishmit, Meta deklaroi se sfida e vendeve të Ballkanit është se si këtë bashkëpunim rajonal ta kthejnë në një shtysë të fuqishme për zhvillimin dhe për progresin ekonomik e social të gjithë rajonit.Kryetari i Kuvendit theksoi se ekonomia sot në botë para se të jetë globale, përsëri është rajonale, ndërsa shtoi se krijimi i një bashkëpunimi më efektiv dhe i një koncepti më të ndërgjegjësuar në të gjitha vendet tona për të fuqizuar dimensionin ekonomik të rajonit si një i tërë, do të ndihmonte në fuqizimin dhe në dimensionin ekonomik dhe perspektivën e secilit prej vendeve.Meta tha se përgjegjësia jonë është për fëmijët tanë në radhë të parë, për gjeneratat që duan të jetojnë më mirë dhe në paqe të padiskutueshme, ashtu sikurse është e sigurtë që moszhvillimi ekonomik do ta kthejë rajonin mbrapa, do të rrisë frustimin, do të zgjojë problemet etnike, do të çojë në konflikte të paevitueshme.Sipas tij shpesh interesat e ngushta çojnë në krijim konfliktesh jo transparente, të cilat pastaj mund të kthehen në përplasje midis vendeve të ndryshme apo qeverive të ndryshme.“Kemi pasur historinë e çimentos, tani ka dalë historia e miellit. Janë histori interesash, grupesh lobiste në Kosovë apo në Shqipëri. Këto çështje mund të zgjidhen vetëm përmes politikave transparente, përmes diskutimeve, përmes vendosjes së standardeve të cilat duhet të respektohen dhe të zbatohen nga të gjitha vendet. Dhe natyrisht standardet, përderisa të gjitha vendet janë në një rrugë të qartë të integrimit evropian dhe synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, janë vetëm ato.Por natyrisht që nëse një debat i tillë do të ishte hapur me një vend tjetër si me Maqedoninë apo me Malin e Zi apo me Serbinë, do të merrte përmasa të tjera dhe debati do të politizohej kur në fakt nuk janë interesa politike, por janë interesa ekonomike të grupeve të caktuara të cilat synojnë të përfitojnë apo të dëmtojnë rivalët e tyre në treg duke përdorur politikën dhe vendimmarrjen. Si shmanget kjo? Vetëm përmes transparencës dhe vetëm përmes vendosjes së standardeve të përbashkëta”.Kryetari i Kuvendit theksoi se në rast se çdo vend do të përpiqet të krijojë pengesa për tregtinë e lirë, do të shohë interesat e ngushta momentale të një grupi të caktuar apo dhe të vetë vendit, do të krijojë një klimë mosbesimi dhe do të dëmtojë besueshmërinë e këtij tregu si një treg rajonal ku hyjnë dhe duan të hyjnë edhe shumë aktorë të tjerë.Meta tha se historia na ka mësuar që Ballkani prodhon më shumë konflikt sesa konsumon, ndërsa theksoi se është momenti që të prodhohet më shumë bashkëpunim në mënyrë që të fitohet koha e humbur për shumë gjenerata dhe për rajonin dhe mbi të gjitha të fitohet e ardhmja e fëmijëve.