Haxhinasto në Bullgari, synon përfshirjen e Korridorit VIII në rrjetin europian
Bullgari – Shqipëria i kërkon Bullgarisë dhe Maqedonisë që të caktojnë një koordinator europian për Korridorin e VIII-të, i cili do të intensifikojë përpjekjet për përfshirjen e Korridorit VIII, në rrjetin e korridoreve europiane TEN-T.Kërkesën e ka bërë Ministri i Transporteve Edmod Haxhinasto gjatë një takimi në Sofje me homologët e tij, ministren bullgare Nikolina Angelkova dhe ministrin maqedonas, Mile Janakieski.Haxhinasto theksoi në takim se përveç konsensusit politik, realizimi i investimeve në pjesën shqiptare të Korridorit të VIII-të, ka qenë një përpjekje intensive në mobilizimin e burimeve financiare dhe investimeve, ku përmendi projektin e rëndësishëm Tiranë-Elbasan, Segmentin e ri Qukës-Qafë Plloç, si edhe projektin ambicioz të Rrugës së Arbërit.Të tre Ministrat, u shprehën për rëndësinë e pazëvendësueshme edhe të lidhjeve hekurudhore, jo vetëm si metodë më e shpejtë, më e lirë dhe më e gjelbër transporti, por edhe metodë që garanton uljen e amortizimit të rrugëve nga transporti i mjeteve të rënda.Duke folur për kapacitetet e porteve, Ministri Haxhinasto përmendi investimin në rritjen e kapaciteteve në portin e Vlorës dhe Shëngjinit, si edhe projekt-idenë e portit të thellë, të ri të Shëngjinit. Si pjesë përbërëse të Korridorit të VIII-të, Ministri e cilësoi si kritik konceptin e intermodalitetit, por edhe të infrastrukturës së komunikacionit me fibra optike përgjatë Korridorit VIII.Në përfundim, tre Ministrat firmosën deklaratën e përbashkët, që do të jetë baza e krijimit të një sekretariati që do të ndjekë interesat e realizimit të Korridorit VIII.ar.sh/Oranews.tv