Athinë, ekzekutim mafioz në lokalin e shqiptarit, vdes 44-vjeçari grek -FOTO
Lokali i një shqiptari në qendër të kryeqytetit grek, Athinës, ka rënë pre e një sulmi me armë zjarri.Sipas medias greke “Zougla.gr”, nga të shtënat ka mbetur i vdekur një 44-vjeçar shtetas grek, baba i dy fëmijëve, dhe një 21-vjeçare nga Shqipëria e cila ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja ka ndodhur në orën 04:00 të mëngjesit të 31 tetorit, kanë qëlluar me armë zjarri drejt lokalit kafe-bar “Mokarico”, në zonën “Omonia” në qendër të Athinës.
“Burime nga policia greke bëjnë me dije se një Fuoristradë tip “Xhip”, me xhama të errët, me dy persona brenda, ka ndaluar përpara lokalit, i cili është në pronësi të një shtatasi shqiptar, por që në atë moment nuk ndodhej në lokal.
Menjëherë personi që ndodhej në sedilen e pasagjerit ka qëlluar me breshëri drejt lokalit, me më shumë se 8 plumba nga një armë “Kllashnikov”.44-vjeçari i cili ndodhej në hyrje të lokalit ka gjetur vdekjen e menjëhershme.”, citon media greke “Zougla.gr”.
Po sipas kësaj media, viktima më parë ka qenë në një tjetër lokal sëbashku me disa miq të tij.Autorët e krimit janë larguar me shpejtësi nga vendi I ngjarjes, ndërkohë që policia greke dyshon se ngjarja ka ndodhur për larje hesapesh.
Policia greke ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve.