Spiropali-Yialouri: Grup pune për shkëmbim informacioni inteligjent
Janinë-Drejtorja e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali sëbashku me delegacionin nga dogana shqiptare, zhvilloi dje një takim bilateral me Drejtoren e Përgjithshme të Doganave greke, Eirini Yialouri e shoqëruar nga delegacioni përkatës.Në këtë takim u diskutua në nivel teknik mes dy stafeve për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave, thjeshtimin e procedurave, përmirësimin e infrastrukturës në të dy anët e kufirit, si dhe luftën e përbashkët kundër krimit doganor dhe evazionit përmes shkëmbimit elektronik të informacionit.Spiropali vlerësoi bashkëpunimin korrekt dhe të frytshëm të deritanishëm mes dy administratave, ndërsa shtoi që duhet vazhdohet me ndërtimin e raporte të reja edhe në nivel personal, për të patur një vizion të përbashkët për të ardhmen.Drejtorja e Përgjithshme e Doganave informoi palën greke për zhvillimet e reja në legjislacionin shqiptar si në thjeshtimin e procedurave apo konceptin e operatorit ekonomik.Duke e konsideruar si prioritar, Spiropali propozoi rishikimin e marrëveshjes bilaterale të deritanishme me shtetin fqinj, në mënyrë që t’i përshtatet sa më mirë marrëdhënies ekzistuese mes dy administratave.“Lufta kundër evazionit fiskal është prioritet për Administratën Doganore Shqiptare ashtu siç jam e bindur që për administratën tuaj kjo çështje është parësore. Për këtë arsye kërkoj që të ngrihet një grup pune mes dy administratave për të rritur efikasitetin dhe fleksibilitetin në drejtim të shkëmbimit të informacionit inteligjent”, u shpreh Spiropali.Ndërsa Drejtorja e Përgjithshme e Doganave greke, Yialouri u shpreh:“Mes dy administratave ekziston një bashkëpunim shumë i mirë ndër vite, ndërkohë që shpresoj që ky takim që po zhvillohet t’i shërbejë zhvillimit ekonomik të rajonit, lehtësimit të procedurave doganore në ndihmë të biznesit dhe rritjes së sigurisë në luftën kundër trafiqeve.”Në fokus të veçantë gjatë takimin ishin Degët Doganore të dy administratave. Kryetarët e Degëve Doganore në kufirin Shqipëri-Greqi, diskutuan për zgjidhjen e menjëhershme të problemeve teknike dhe administrative të hasura herë pas herë.Nga të dyja palët pati një angazhim të menjëhershëm për ofrimin e bashkëpunimit për zgjidhjen e menjëhershme të çdo lloj shqetësimi qytetar. Lehtësimi i procedurave dhe shërbimi profesional ndaj qytetarëve dhe bizneseve ishin kryefjala e diskutimeve gjatë takimit të zhvilluar.Njëkohësisht, dy delegacionet prezantuan edhe projektet për zhvillimin e infrastrukturës doganore nga të dyja anët e kufirit.“Infrastruktura fizike është shumë e rëndësishme dhe i jep dinjitet shërbimit ndaj qytetarëve dhe punonjësve të doganave”tha Spiropali.Në planin afatmesëm u diskutua konkretisht për mundësinë e zhvillimit të infrastrukturës në pikat doganore të Kapshticës, Kakavijës dhe Tre Urat.Të dyja palët ranë dakord për nënshkrimin e një dokumenti të ri bashkëpunimi për shkëmbimin e informacionit dhe më gjerë, i cili do të shërbejë për rritjen e luftës ndaj trafiqeve të paligjshme dhe lehtësimin e procedurave për biznesin e ndershëm.Spiropali e ftoi homologen greke për një vizitë në Shqipëri, ndërkohë që i propozoi edhe zhvillimin e një takimi me biznesin grek në vendin tonë.