Shqiptarët po kursejnë për bukën, INSTAT: Inflacioni në rënie, s'ka konsum

Tiranë - Shqiptarët vazhdojnë që të kursejnë duke mos patur siguri për të ardhmen, por edhe të ndikuar nga ulja e të ardhurave në familje. Kjo ka bërë që Konsumi në Shqipëri të mbetet i dobët.Konfirmimi vjen nga të dhënat e INSTAT në bazë të cilave vërehet se inflacioni vijon të jetë nën objektivin e Bankës së Shqipërisë, duke pasur përsëri trend rënës muajin e fundit.Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit sipas raportit është 1,5 %, ndërkohë një vit më parë ky ndryshim ishte 1,7 %.Rritja më e madhe e çmimeve përgjatë shtatorit vërehet në grupin "Mallra dhe shërbime të ndryshme" me 8,7 %, midis tyre çmimet e nëngrupit "zarzavate përfshirë patatet" janë rritur me 20,1 %.Pavarësisht këtyre të dhënave, qeveria deklaron se konsumi është rritur ndjeshëm, por çfarë mendojnë vetë qytetarët?“Nuk ka punë, studentët mbarojnë shkollën dhe nuk kanë punë. Kjo është rënia e ekonomisë.Më shumë te ilaçet, se për ato kam nevojë më shumë, se tek ushqimet edhe mund të kursesh” – theksuan qytetarët.Tregtarët shpjegojnë se blerësit kanë rënë ndjeshëm dhe fitimi i tyre është pothuajse minimal.“Në përgjithësi puna ka rënë shumë dhe njerëzit nuk kanë lek. Sado që çmimet nuk janë shumë të shtrenjta, por rënia ekonomia bën punën e vet dhe nuk ka blerje.Krahasuar me vitet e mëparshme, normalisht që ka rënie.Shumë e dobët është gjëndja. Mund të thuash se në 12 muaj, mund të punosh 2 muaj” – shprehen tregtarët.Ndërkohë edhe ata qytetarë që kanë shkuar të blejnë shpesh herë largohen pa marrë asgjë.“Asnjë gjë, kërkuam të gjithë tregun, por janë shumë të larta çmimet”- tha një qytetare.Në dyqanet e ushqimeve  vazhdojnë listat me emrat e qytetarëve që nuk kanë mundësi të paguajnë. Pas kamerave shitësit shpjegojnë se blerjet e ushqimeve janë minimale dhe shpesh herë detyrohen të presin me javë për të marrë lekët e produkteve.