Ekonomia në stanjacion, eksperti Shano: U rritën taksat dhe borxhi i jashtëm

Tiranë - Ekonomia shqiptare është e trullosur, shumë afër krizës, që në gjuhën popullore përkthehet si recesion i lehtë. E thënë nga eksperti i ekonomisë Dritan Shano në emisionin “Ditë e re” në Ora News, në tkurrjen e ekonomisë ka ndikuar dominimi i shtetit në vendimarrje, ku faktori kyç për të është marrja e shfrenuar e borxhit.“Investimet publike, në fund të gushtit janë më pak se 40%. Pra, vetë qeveria ka përcjellë në ekonominë e tregut një ndjesi hezitimi, një ndjesi paqartësie, një mungesë vizioni. Qeveria mori përsipër këtë dhe ka marrë 600 milion euro borxh. Shenjat e kësaj marrje borxh në mënyrë të shfrenuar pa arsye reale, ne i vërejmë në buxhetin e vitit 2014-të, të ekzekutuara nga qeveria e sotme" - tha Shano.Për Shanon dy janë rrugët për të shmangur rënien ekonomike.“Qeveria ka zgjedhur t’i rrisë të ardhurat përmes rritjes së taksave, duke taksuar çdo gjë që vrapon, noton, ecën në këtë vend. Dy janë mundësitë që i kanë mbetur qeverisë, ose të rrisë taksat të mbledhë të ardhurat, - sepse është e pazonja të mbledhë të ardhurat në formë tjetër - ose të marrë borxh” - u shpreh eksperti i ekonomisë.Për ekspertin e ekonomisë, Dritan Shano, vendosja e taksës progresiste ka sjellë një amulli mes individit, biznesit e sistemit, duke u reflektuar dhe me shtimin e punës në të zezë.