Daçiç përkrah idenë e diplomatit rus: Ndarja e Kosovës, zgjidhja më e mirë
Serbi- Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç ka deklaruar se ndarja e Kosovës do të ishte njëra nga zgjidhjet më të mira si dhe në interes të serbëve e të shqiptarëve."Kjo marrëveshje, përkatësisht zgjidhja afatgjate e marrëdhënieve të Beograd - Prishtinë do të mund të arrihej në konferencën ndërkombëtare nën përkujdesje të BE-së, por edhe të ShBA e të Rusisë", ka deklaruar Daciç.Ideja e Daçiç pason deklaratën e shefit të Zyrës ruse në Prishtinë, Andrej Shugurov, i cili ka vlerësuar se Serbia dhe Kosova duhet të shkëmbejnë territore: Serbia të japë tri komunat e Luginës së Preshevës për veriun Kosovës me shumicë serbe.Daçiç tha se ky skenar i zgjidhjes nuk ka përkrahje zyrtare as në Beograd, as në Prishtinë dhe as në shumicën e qendrave të vendosjes në botë.Zëvendëskryeministri serb ka shtuar se ky është qëndrimi i tij dhe se Serbia do ta vazhdojë politikën e deritashme të gjetjes së zgjidhjes përmes dialogut politik."Pozita jonë mbetet e pandryshuar, e ajo është se nuk do ta njohim shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës", ka thënë Daçiç.